Cardi B do të paguajë shpenzimet e funeralit të viktimave të zjarrit në Nju Jork

21/01/2022 03:47

Reperja e njohur amerikane Cardi B do të paguajë shpenzimet e funeralit për të 17 viktimat që humbën jetën në zjarrin e fundit në Nju Jork.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams njoftoi sot se fituesja e çmimit Grammy ofroi ndihmë financiare për viktimat e zjarrit në Bronx, ku ajo u rrit, raporton AP.

Shumica e viktimave janë nga Gambia dhe familjet planifikonin t’i varrosnin në atdheun e tyre në Afrikën Perëndimore, kështu që Cardi B mori përsipër të paguante shpenzimet e riatdhesimit të trupave, njoftoi zyra e kryebashkiakut.

“Jam jashtëzakonisht krenarë që jam nga Bronx. Unë kam shumë anëtarë të familjes dhe miq që ende jetojnë dhe punojnë atje. Kur dëgjova për zjarrin dhe të gjitha viktimat, e kuptova se duhej të bëja diçka dhe të ndihmoja”, tha Cardi B.

Autoritetet e Nju Jorkut thanë më herët se zjarri në ndërtesën e Bronxit më 9 janar ishte më vdekjeprurësi në tri dekadat e fundit dhe se ishte shkaktuar nga një mosfunksionim në sistemin e ngrohjes.

Top Channel