Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot protestën e 21 janarit, ku u vranë katër protestues para kryeministrisë.

Kreu i qeverisë shprehet i bindur se drejtësia vonon por nuk harron, ndërsa shkruan se vrasja barbare e katër protestuesve paqësorë kërkon drejtësi.

“Me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, shkruan Kryeministri në rrjete sociale.

Sot mbushen 11 vjet nga vrasja e 4 protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.

Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë viktimat e 21 janarit. Familjarët e tyre akoma sot presin drejtësi. Vitin e kaluar Policia e Tiranës përmes një kërkese i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për rihapjen e dosjes “21 Janari”. Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet për njërin prej të vrarëve në bulevard, Aleks Nikën, në 2020.

Sot politika “noton” në të tjera ujëra. Partia Socialiste është pozitë në mandatin e tretë edhe pse akoma se ka mbajtur premtimin për drejtësi për 4 viktimat në bulevard. Ndërkohë partia më e madhe opozitare është e përçarë. Sali Berisha i shpallur non-grata nga SHBA kërkon të marrë kryesimin e PD, ndërkohë që Basha thotë që anëtarët e PD kanë zgjedhur atë si kryetar.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel