Seit Boshnjaku, ka lindur në qytetin e Shkodrës, më 1 gusht të vitit 1914. Jeta e tij është tepër e larmishme e që prek dy kohë me profile të ndryshme. Në monografinë e tij, “Sfidat e jetës së Seit Boshnjakut”, Prof. Ago Nezha e përshkuan figurën e aktorit të njohur jo vetëm si një qytetar të mirë shkodran, por edhe si një personalitet të njohur e me mjeshtëri të lartë artistike.
Monografia sjell fakte, ngjarje të bukura jetësore dhe profesionale, që e plotësojnë me kuptim figurën e heroit duke kuptuar se Boshnjaku ishte një aktor me fizionomi të qartë, diapazon të gjerë dhe autoritet artistik të padiskutueshëm.
Monografia sjell gjithashtu edhe një pasuri pa fund faktesh të cilat flasin për një njeri me botë të madhe shpirtërore, emocionale e sociale që diti mbi të gjitha të ishte një “aktor” serioz, si dhe “autor i dramës” së vet.
Monografia nuk është thjesht histori e rrjedhshme e jetës së një njeriu. Autori duke i qëndruar konsekuent jetës personale të Seit Boshnjakut ka mundur t’i japë një dimension edhe filozofik. Kjo sepse ai librin e ka ndërtuar mbi një strukturë të menduar mirë, kompakte, dhe gjithëpërfshirëse
Figura artistike dhe personaliteti si aktor përfshin një pjesë të konsiderueshme të monografisë ndoshtasepse kjo zë dhe peshën kryesore të jetës individuale të Seitit.
Ai ishte mjeshtër për gjetjen e përshtatshme të “lëkurës së rolit”,qoftë në teatër apo në kinematografi. Seit Boshnjaku punoi gjatë dhe ka dhënë kontribute të gjëra e konsistente në galerinë e gjerë të personazheve të krijuar në skenën e madhe të Teatrit Popullor. Autori i monografisë Ago Nezha, i ka përshkruar këto realizime pa i ndarë nga jeta teatrore që nga fëmijëria, rinia e derisa u largua nga kjo jetë.
Top Channel