Maraş, “qyteti fantazmë” i shkëputur nga bota për 46 vjet, pret mbi 330 mijë turistë

20/01/2022 14:26

Mbi 330 mijë turistë kanë vizituar rajonin Maraş në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) që kur ky rajon bregdetar u rihap pjesërisht për publikun në vitin 2020.

Maraş praktikisht u kthye në një “qytet fantazmë” pasi mbeti i shkëputur nga bota për rreth 46 vjet, ndërsa një pjesë e rajonit, përkatësisht vetëm 3,5 për qind e sipërfaqes së përgjithshme, u rihap që nga tetori i vitit 2020.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 330 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan qytetin që nga rihapja.

Autoritetet komunale të qytetit Gazimağusa, që përfshin zonën bregdetare Maraş, kanë bërë rregullime të ndryshme për vizitorët, si kioska për pije freskuese dhe pika për biçikleta me qira.

Përgjatë dy plazheve kryesore po ashtu janë vendosur karrige dielli dhe çadra, ndërkohë rregullisht organizohen ngjarje sociale.

Turisti İbrahim Yılmaz tha se historia e rajonit Maraş është një nga atraksionet e tij më të mëdha.

“Kjo zonë mund të restaurohet dhe të përdoret për xhirime filmash, veçanërisht për filma historik”, tha ai për Anadolu Agency (AA).

Serkan Erol, një turist tjetër, tha se ai udhëton rregullisht në Qipron Turke, por theksoi se në Maraş kjo është hera e parë.

“Të jesh këtu të jep një ndjenjë se je kthyer prapa në kohë. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rinjtë tanë të jetë të vetëdijshëm për historinë e tyre. Ardhja në Maraş mund të jetë vërtet e dobishme në këtë drejtim. Planifikoj të sjell familjen dhe fëmijët e mi këtu së shpejti”, tha ai.

– Mosmarrëveshja disa dekadashe

Qiproja ka qenë e ngecur në një mosmarrëveshje disa dekadashe midis grekëve dhe turqve të Qipros, pavarësisht disa përpjekjeve diplomatike nga Kombet e Bashkuara (OKB) për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Sulmet etnike që filluan në fillim të viteve të 1960-ta i detyruan turqit e Qipros të tërhiqen nga enklava për sigurinë e tyre.

Në vitin 1974, një grusht shtet nga grekët e Qipros që synonte aneksimin e Greqisë çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë si një fuqi garantuese për të mbrojtur turqit e Qipros nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, në vitin 1938 u themelua TRNC-ja.

Vitet e fundit ka pasur një proces paqësor me ndërprerje të njëpasnjëshme, përfshirë edhe iniciativën e dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Administrata greke e Qipros Jugore në vitin 2004 u anëtarësua në Bashkimin Evropian (BE), në të njëjtin vit kur grekët e Qipros penguan planin e ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë./AA/

FOTO GALERI
1/5

Top Channel