Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues, Gledis Nano mori pjesë në analizën vjetore të punës të strukturave vendore të Policisë Dibër.

Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm, ka vlerësuar punën e këtyre strukturave, në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë, parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike, parandalimit të ngjarjeve të rënda, të trafiqeve të paligjshme dhe drogës.

Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga efektivët, për vitin 2022, një qasje tjetër me publikun, performancë më të mirë të Policisë tek qytetarët, për t’u ofruar atyre një shërbim sa më cilësor dhe duke treguar vlera që përmirësojnë imazhin e Policisë së Shtetit.

Nano ka theksuar se viti 2022 duhet të jetë viti i tolerancës zero për kultivimin e bimëve narkotike, angazhim maksimal për parandalimin e ngjarjeve të rënda dhe për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.

Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Gledis Nano ka dhënë edhe një prononcim për mediat:

Pyetje: Zoti Nano, keni nisur një tur analizash në të gjitha drejtoritë. Ku konsistojnë, cilat janë risitë e këtyre analizave?

Përgjigje: Ju falemnderit! Është e vërtetë, prej disa ditësh ka filluar një tur në të gjitha qarqet e vendit, për të zhvilluar analizën në Drejtoritë Vendore, bashkërisht me Drejtoritë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, për të parë rezultatet gjatë vitit 2021, rezultatet pozitive të arritura nga strukturat policore. Po kështu, për të nxjerrë të gjitha mangësitë apo momentet ku duhet përmirësuar puna e Policisë. Fokusi, në varësi të problematikave të çdo qarku, ka qenë domini i situatës kriminale nga strukturat e Policisë, në aspektin e kriminalitetit, sidomos në krimet e rënda; kapja dhe vënia para përgjegjësisë e të gjithë personave të kërkuar, atyre që mbajnë armë pa leje; kultivimi i kanabisit, ashtu siç unë e kam përmendur dhe në dalje të tjera të mëparshme, është një sfidë e cila është kërkuar me shumë forcë nga nga ana ime, në të gjitha strukturat policore, që këtë vit të kemi një rezultat tjetër dhe të pakrahasueshëm me asnjë vit tjetër të mëparshëm. Kam kërkuar me shumë forcë, nga të gjithë aktorët, agjecitë ligjzbatuese, të inteligjencës dhe të pushtetit vendor, të jenë më bashkëpunues, me qëllim që të gjithë së bashkë t’ia dalim kundër kësaj problematike, e cila e kategorizon vendin tonë, si një vend problematik në aspektin e kultivimit të kanabisit dhe jo vetëm. Po kështu dhe në drejtim të drogave të forta, të cilat përveç trafikimit dhe pasurimit të individëve apo grupeve kriminale, sjellin më pas edhe konflikte të cilat sjellin si pasojë ose degjenerojnë në vrasje apo krime të tjera të rënda, të cilat përbëjnë një impakt shumë negativ për të gjithë situatën e sigurisë në vend.

Pyetje: Kemi parë shpesh sjellje jo të mira të Policisë së Shtetit me qytetarët. Cilat janë prioritetet tuaja si Drejtor i Përgjithshëm?

Përgjigje: Që prej marrjes së detyrës, jam shpehur qartë për një qasje tjetër në raport me qytetarët, po kështu edhe me mediat, ju e keni vënë re. Jam i vendosur që për çdo sjellje të pahijshme apo në kundërshtim me ligjin, të çdo punonjësi policie, të kryhen hetimet apo verifikimet dhe të dilet me masa konkrete. Unë nuk jam për një Polici të dhunshme me qytetarët, jam për një Polici profesionale dhe me aftësi apo me rezultate të qarta dhe të suksesshme ndaj kriminalitetit.

Pyetje: Janë bërë disa vrasje të bujshme, akoma nuk ka autorë?

Përgjigje: Për këtë unë dua të sqaroj shumë shkurt, për shkak se të gjitha çështjet janë në hetim. Jemi duke zhvilluar hetime shumë të rëndësishme, për të cilat do kemi rezultate në kohën që duhet të jepen këto rezultate, pasi të mbarojnë hetimet. Por ajo që unë dua të garantoj të gjithë komunitetin dhe opinionin publik është se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për hetimin dhe çuarjen deri në fund të këtyre hetimeve, për të zhvilluar hetime cilësore, me qëllim zbardhjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të të gjithë autorëve të këtyre veprave penale.

Pyetje: Lëvizjet nga njëri Komisariat në tjetrin bëhen për mangësi pune apo janë thjesht emërime nga njëri Komisariat në tjetrin?

Përgjigje: Lëvizjet në Policinë e Shtetit kanë disa arsye kur kryhen dhe për këtë merret mendim dhe analizohen të gjitha të dhënat e një punonjësi policie, për të ndryshuar apo për t’u transferuar nga një detyrë në tjetrën.

Pyetje: Pyetja e fundit, zoti Drejtor, konsiston te armëmbajtja. Kemi vënë re se vrasjet që ndodhin kryesisht janë me armë pa leje, normalisht që do jenë pa leje, por ka raste sporadike që mund të jenë nga punonjës policie apo punonjës të tjerë. A ka Policia e Shtetit një plan ndoshta për ta riparë dhe njëherë “çarmatosjen” e popullatës, pasi dhe në festat e fundvitit pati të shtëna me armë dhe që tregon që ka një prezencë të armëve pa leje në komunitet.

Përgjigje: Policia e Shtetit vepron bazuar në kompetencën dhe objektin e punës së saj që ka dhe detyra jonë është të kapim dhe të vëmë para përgjegjësisë penale, të gjithë personat që mbajnë armë pa leje. Vendime të tjera për përsa i përket “çarmatosjes”, nuk janë vendime që i takojnë Policisë për t’i marrë, janë iniciativa në nivele akoma më të larta, ndaj unë nuk mund të jap asnjë lloj komenti.

Pyetje: Zoti Nano, në lidhje me sektorin minerar, pra kryefjala e Policisë është lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. A do të ndërhyhet në këtë sektor seriozisht?

Përgjigje: Në bashkëpunim dhe me institucionet e tjera që rregullojnë dhe kanë detyrimin e licencimit apo dhe të kontrollit të këtyre aktiviteteve të biznesit, ne jemi duke i parë të gjitha dhe për këto raste kemi hetime të cilat do t’i finalizojmë nën drejtimin e Prokurorive përkatëse, kështu që dhe për shkak se në qarkun e Dibrës ka një aktivitet të tillë që zhvillohet këtu, jemi të fokusuar dhe janë lënë porosi të qarta lidhur me të gjitha dyshimet për abuzime në këtë sektor.

Pyetje: Flitet për parametra dhe kjo është gjë shumë e mirë, por a mendoni se organizata e Policisë i plotëson të gjitha kriteret përsa i përket plotësimit të parametrave?

Përgjigje: Po synojmë në bashkëpunim dhe me të gjithë aktorët, si brenda vendit, ashtu dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të kemi një Polici sa më europiane, kjo nuk bëhet as për një ditë as për dy ditë, do kohën e vet.

Por ajo që unë dua t’ju siguroj është angazhimi maksimal, ashtu edhe mbështetja e Ministrit të Brendshëm dhe e Kryeministrit, siç e keni vënë re, me mbështetje me buxhet, me fonde, për të pasur një Polici akoma më me mbështetje përsa i përket trajtimit financiar punonjësve të Policisë, ashtu dhe në logjistikë apo tekonologjinë më bashkëkohore, për të cilën jemi shumë të fokusuar me qëllim dominimin e të gjithë territorit, marrjen e informacioneve dhe ndekjen e çdo aktiviteti kriminal në vend.

Top Channel