Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë të dhënë për mediat ka folur mbi zgjedhjet vendore të 6 marsit që do të mbahen në 6 bashki kryesore të vendit.

Kreu i qeverisë tha se Partia Socialiste do të hyjë për të fituar, por fokusi do të jetë tek Këshillimi Kombëtar, edhe pse ‘hyzmetin’ e nevojshëm do tja bëjnë dhe detyrat do t’i çojnë deri në fund!

“Ne jemi PS, ne jemi kampionët që gjithmonë hyjnë për të fituar dhe s’kanë rezultat tjetër përveçse fitores, në këtë rast këto janë zgjedhje vendore ne nuk do bëjmë një luftë për jetë a vdekje, një beteje që do të mbulojë ekranet nga mëngjesi deri në darkë. Unë do fokusohem të Këshillimi Kombëtar, do ti bëjmë hyzmetin e nevojshëm, do të bëjmë detyrat tona secili sipas kalendarit të organizimit për të qenë të pranishëm, por nuk jemi në kushtet të bëjmë parashikime të asaj natyre.

Ne kemi një makineri të tërë që bëjnë analizat dhe për këtë nuk kuptojnë analistët që flasin për cenimin e votës së lirë. Do shkojmë në këto zgjedhje të pjesshme. E kam mendjen më shumë te këshillimi kombëtar sepse është hera e parë që ndodh dhe dua të kthehet në një traditë të qeverisë! Është një nismë që ka emocionin e nismës së parë. Le të mos paragjykojmë nismën dhe secili do ta ndjejë nëse është gjëja e duhur për të marrë pjesë më tutje. Ne jemi PS, ne jemi njishat, njishi nuk hyn kurrë për t’u bërë dysho por këto janë zgjedhjet q kanë rëndësinë e tyre!”, u shpreh Kryeministri.

Top Channel