Veliaj: Asnjë tërheqje nga projekti, kriminelët dhe trafikantët nuk caktojnë agjendën e qytetit

19/01/2022 15:14

Krye-bashkiaku Erion Veliaj shprehet i vendosur për ta çuar përpara projektin për ndërtimin e lagjes së re te “5 Maji, pavarësisht protestave të banorëve të cilëve ju prishen shtëpitë.

Protesta tha Veliaj udhëhiqet nga persona me precedent kriminal.

“Bëni një kërkim në Google me fjalët ‘Vëllezërit Marku/OFL’, do të shikoni se ata që sot thanë se do të vrisnin kryetarin e bashkisë, tashmë u janë sekuestruar 5 milionë euro prona dhe 18 makina. Si ka mundësi që dikush që është kriminel i skeduar mund të kanosë këdo, përfshirë kryetarin e Bashkisë, apo forcat e policies, apo inspektorët, apo ata që janë për t’i shërbyer publikut? Koha kur laci, i forti, zaptuesi, krimineli, trafikanti bënte ligjin në këtë qytet, ka mbaruar. Nuk ekziston më”, tha Veliaj.

Asnjë trafikant apo kriminel theksoi krye-bashkiaku Tiranës, nuk mund ta ndalojë punën e nisur aty për strehimin e të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Kush është më i forti në këtë qytet? Rrugaçi, zaptuesi, kërcënuesi, krimineli, trafikanti apo ai çuni e goca që del me dhjeta, që punon në mënyrë të ndershme?! Sa të jem unë kryetar bashkie, asnjë kompromis! I kam parë unë të gjitha, me media, edhe trafikantë droge, edhe këto portalet që vënë gjoba, duhet ecur përpara dhe duhet dhënë mesazhi që në vitin 2022, paligjshmëria, rrugaçëria, krimineli, trafikanti nuk cakton agjendën e qytetit. Agjendën e qytetit, sidomos këtë vit, do ta caktojnë të rinjtë tanë, çunat e gocat e shkëlqyer të Tiranës, që nuk i kanë borxh askujt”, u shpreh Veliaj.

Sipas Bashkisë Tiranë, banorët që preken nga ndërtimi i lagjes së re në zonën e “5 Majit” do të dëmshpërblehen 100% për pronën e tyre.

Top Channel