Policia izraelite dëbon familjen palestineze në agim, në akte të kritikuara si ‘krime lufte’ (fotot)

19/01/2022 21:32

Policia izraelite ka dëbuar dje një familje palestineze nga shtëpia e tyre në zonën e pushtuar të Jeruzalemit Lindor në një aksion para agimit, shkruan e përditshmja britanike Metro.

Disa dhjetra oficerë zbarkuan në shtëpinë e zonës Sheikh Jarrah, që ka qenë një pikë e nxehtë përplasjesh në vitin 2021, duke evakuuar me forcë banorët dhe më pas duke e shkatërruar.

Rreth 15 rezidentët e saj u nxorrën jashtë për të parë shkatërrimin e plotë të shtëpisë, në aktet që u quajtën “krim lufte” nga presidenti palestinez Mahmoud Abbas.

Një anëtar i familjes i emëruar si Mahmoud Salhiyeh, ishte ngjitur në çatinë e shtëpisë për të mbrojtur vendbanimin ku jetonte prej dekadash.

Në situatën e tensionuar ai kërcënonte të vinte zjarrin si vetes dhe ndërtesës, duke thënë: “Ne nuk largohemi më, nuk kemi ku të shkojmë. Na keni dëbuar njëherë në vitin 1948.”

“Ne ose do të vdesim në shtëpinë tonë, ose do të jetojmë. Nuk largohemi”.

Banorët qëndruan nga dje rreth shtëpisë dhe mbi të, derisa policë me veshje të rënda erdhën të mërkurën.

Disa prej të afërmve duke përfshirë dhe një vajzë nëntë-vjeçare u rrahën, shkruan britanikja  The Guardian, teksa të tjera raportime thanë se policia përdori plumba gome.

Oficerët raportohet se arrestuan të paktën 20 persona duke përfshirë dhe pesë anëtarë të familjes Salhiyeh.

Izraeli e konsideron të gjithë Jeruzalemin si qyet të vendit por Palestina pretendon lindjen e qytetit për kryeqytetin e shtetit të saj të ardhshëm.

Familja nuk raportohet se kishte në plan të zhvendosej dhe nuk mund të kontaktohej nga të afërmit.

Policia insistonte se kishte ofruar disa raste për të dorëzuar tokën pas urdhrit të evakuimit, sipas tyre të vitit 2017.

Autoritetet izraelite thanë se po zbatonin një urdhër gjykatë për “dëbimin nga ndërtesa ilegale, e ndërtuar në vendin e planifikuar për një shkollë”.

Aktivistë ndërkombëtarë dëshmuan shkatërrimin dhe e përshkruanin “tronditës”.

“Ti shikon jetën dhe gjithçka që zotëron të të shkatërrohen para syve”, tha ata sipas Metro.co.uk

Zoti Abbas nxiti Uashingtonin të “detyrojë qeverinë e Izraelit të ndalojë politikën e spastrimit etnik kundër popullit të Palestinës”, sipas një dekalarte të agjencisë palestineze  WAFA.

FOTO GALERI
2/5
Disa dhjetra oficerë zbarkuan në shtëpinë e zonës Sheikh Jarrah, që ka qenë një pikë e nxehtë përplasjesh në vitin 2021

Top Channel