AAK kundër shtrenjtimit të energjisë, nuk përjashtohen protestat në Kosovë

19/01/2022 16:16

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me propozimin për shtrenjtimin e energjisë eklektike, ku me këtë rast kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të votojnë një rezolutë që do të paraqitet në Kuvend ku kërkohet anulimi i këtij propozimi nga ekzekutivi dhe Zyra e Rregullatorit për Energji.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media, përpos LVV-së, ftoi të gjitha grupet parlamentare që të votojnë këtë rezolutë pasi është ë papranueshme që shtrenjtimi i rrymës të ndodhë deri në 100%.

Fillimisht ajo që dua të them është që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në debatin e thirrur në ditën e nesërme një ndër temat kryesore do të ketë raportimin që është bërë që ZRRE e ka bërë për ngritjen dhe dyfishimin e çmimeve, për ne dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, është e papranueshme që dikush që i ka paguar 58.52 euro të paguajë me tarifën 109.42 euro, 100 përqind më shumë, dikush që shpenzon deri në 800 KW që ka paguar 47.19 euro të paguajë 74.17 euro. Andaj ne nesër në këtë debat që do të trajtojmë edhe tema të tjera mirëpo tema bazë do të jetë energjia dhe nesër do të presim dy çështje, presim nga shumica parlamentare nga Vetëvendosja që të reflektojë dhe të votojë rezolutën tonë që kërkon nga ZRrE dhe Qeveria pra që e obligon që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike pra që të anulohet dhe ky vendim të mos hyjë në fuqi”, thotë ai.

Tahiri u shpreh se nga shtrenjtimi i rrymës pritet të preken rreth 700 mijë banorë të Kosovës, ndërsa paralajmëroi se mund edhe të protestojnë kundër kësaj çështjeje.

Sipas të dhënave dhe raportimeve diku mbi 200 mijë familje afektohen. Që nënkupton rreth 700 mijë banorë të Kosovës. A është analizuar kjo pjesë. Kë po e mbron kjo qeveri, qytetarin që i ka premtuar mirëqenie apo interesin e korporatës. […] Si grup parlamentar, si subjekt politik, ne duhet t’i shterim të gjitha mekanizmat demokratikë duke përfshirë edhe protestimin për këtë ngritje dhe për këtë propozim të ngritjes së çmimeve”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, deklaroi se paralajmërimet e tyre që në verë për krizën energjetike Qeveria e Kosovës nuk i kishte marrë seriozisht dhe për pasojë qytetarët po vuajnë këtë krizë.

Për më tepër, Lekaj, përmend edhe ditët e vështira që po kalojnë qytetarët e vendit pasi që ka pasur edhe rritje të çmimeve të produkteve ushqimore.

“Ne si Grup Parlamentar dhe unë si deputet dhe si anëtar i Komisionit për Ekonomi e kemi paralajmëruar Qeverinë Kurti dhe ministren për Ekonomi Rizvanolli që të kemi kujdes sepse do të hyjmë në një krizë energjetike, përgjigjen që e kam marrë ka qenë se ‘kjo është sa për të bërë politikë’ dhe nuk doli ashtu por ne po i kalojmë ditë më këqija si qytetarë të Kosovës e sidomos tani ku ne kemi një propozim nga ZRRE-ja për ngritje të çmimeve të energjisë për 100%. Ky është akti më i rëndë që i bëhet qytetarëve të Kosovës dhe është mashtrim i radhës i kësaj Qeverie që mendon t’i mashtrojë qytetarët që një pjesë e qytetarëve nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë”, ka përfunduar Lekaj.

Kuvendi i Kosovës nesër nis sesionin pranveror me seancë të re ku është parashikuar edhe debati parlamentar në lidhje me ngritjen enorme të çmimeve.

Top Channel