Ministrja gjermane për Evropë, Anna Luhrmann, viziton për herë të parë sot Shqipërinë pas marrjes së detyrës.

Ajo gjatë takimeve me autoritetet në Tiranë do të bisedojë mbi mbrojtjen e klimës dhe rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Siç bëhet e ditur, ministrja do të takohet me kryeministrin Edi Rama (PS) dhe me zëvendësministren e jashtme, Megi Fino. Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të takohet edhe me Albert Hanin, kryetarin e Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO)

Maqedonia Veriore dhe Shqipëria janë dy vendet e para, pas Francës në dhjetor, që ministrja gjermane e Evropës i viziton që kur ka ardhur në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar.

Një dëshmi kjo, që qeveria e re mes të gjelbërve, socialdemokratëve dhe liberalëve, sikurse e ka shprehur dhe në marrëveshjen e koalicionit, e merr seriozisht perspektivën evropiane të rajonit.

Qysh në pjesëmarrjen e saj të parë në takimin e rregullt të Këshillit të Ministrave të Evropës, më 14 dhjetor në Bruksel, Luhrmann kërkoi fillimin e konferencave ndërqeveritare me dy vendet.

Luhrmann është 38-vjeçe dhe emërimi i saj në postin e ministres për Evropë, një post ky pa portofol ishte vendim i ministres së Jashtme Annalena Baerbock. Më parë ajo ishte profesoreshë në Geteborg, por politikën e ka nisur qysh në moshë të re.

Në vitin 2002, ajo ka qenë deputetja më e re në Bundestag duke qenë vetëm 19-vjeç.

Top Channel