Biografia e Frida Kahlos, artistes meksikane që mjeshtërisht dhe në mënyrë tejet origjinale arriti ta transformonte dhimbjen (e saj) në art, ta përziente realitetin me fantazi dhe ta shpërfaqte kontraversalitetin e saj artistik, duke krijuar, kështu, identitetin meksikan në pikturë. Frida Kahlo nuk është vetëm një figurë e rëndësishme e historisë së artit, por, gjithashtu, edhe një grua ikonë e lëvizjes feministe të kohës. Hayden Herrera sjell ngjarjet më interesante të Fridës, si obsesioni me artistin Diego Rivera, lidhja me burrat e tjerë, kuptimi dhe motivet e pikturave, aksidenti që ia ndryshoi jetën, etj.

Në prill të 1953, më pak se një vit para se të shuhej në moshën 47-vjecare, Frida Kahlo organizoi ekspozitën e tretë në vendlindjen e saj në Meksikë. Shëndeti i saj ishte përkeqësuar dukshëm, sa askush nuk e priste që ajo të merrte pjesë në ekspozitë. Por në orën 8 të mbrëmjes, pak pasi u hapën dyert e Galerisë së Artit Bashkëkohor në qyetin e Meksikos, u pa të afrohej një autoambulancë. Artistja e veshur me një kostumm popullor meksikan, u transportua në shtratin e instaluar në galeri posacërisht për të atë pasdite.

Një nga një, dyqind miq dhe admirues përshëndetën Fridën dhe më pas u mblodhën rreth shtratit të saj duke kënduar balada meksikane deri pas mesnate. Ky aktivitet përmbledh por dhe kulmon karrierën e kësaj gruaje të jashtëzakonshme; dëshmon cilësitë shenjuese të Kahlos si njeri dhe si artiste; fisnikërinë dhe lumturinë e pashueshme edhe në castet e vuajtjes fizike; këmbënguljen e saj për të habitur dhe mrekulluar; dashurinë e saj për spektaklin si një maskë për të ruajtur intimitetin dhe dinjitetin vetjak. Mbi të gjitha hapja e ekspozitës dramatizoi subjektin kryesor të Frida Kahlos- veten e saj. Pjesa më e madhe e veprave të prodhuara gjatë karrierës së saj të shkurtër ishin autoportrete. Lënda e saj e parë ishte dramatike: pothuajse e përsosur, ajo kishte disa të meta të lehta që e shtonin dhe më shumë magnetizmin e saj. Vetullat e saj formonin një linjë të pandashme përgjatë ballit të saj dhe goja e saj sensuale vishej nga një hije mustaqesh. Sytë e saj ishin të zinj, në formë bajameje e me bishtin e tërhequr pak lart; thonë se sytë pasqyronin gjendjen shpirtërore të saj; gllabëruese, magjepsëse ose skeptike dhe të hidhët. Vështrimi i saj i drejtëpërdrejtë e shigjetues prej maceje të egër i demaskonte vizitorët.

Gjatë leximeve të letrave të saj sot, bien në sy ashpërsia e shprehjes së saj. Kur fliste spanjisht i pëlqente të përdorte fjalë të ndyra. Në të dyja gjuhët ajo e shijonte shumë efektin që shkaktonte te njerëzit, një efekt i shtuar prej faktit që të gjitha këto fjalë dilnin prej një figure që dukej kaq femërore dhe që e mbante kokën më drejt se një mbretëreshë.

Në vitin 1929 u bë gruaja e tretë e Diego Riverës. C’dyshe që ishte! Kahlo e vogël dhe luftarake si një personazh i sapodalë nga romanet e Gabriel Garcia Markezit; Rivera i stërmadh dhe ekstravagant direkt i dalë nga Rabelaisi. Dukej sikur ata të dy njihnin këdo. Shpërfaqej në cdo detaj nëpër faqet e medias së pamëshirshme. Ai ishte artisti mëi madh në botë; ajo ndonjëherë ishte princesha rebele në tempullin e tij.

Pati një aksident të rëndë kur ishte vetëm 18 vjec dhe qëi shkaktoi dhembje të madhe jo vetëm fizike por dhe shpirtërore. Mbi të gjitha nuk arriti të kish një fëmijë. Frida e shpërfaqte lumturinë e saj si një pallua me bishtin shumëngjyrësh duke kamufluar kështu trishtimin dhe anën e saj të brendshme.

Unë pikturoj realitetin tim, thoshte ajo, e vetmja gjë që di është që pikturoj sepse kam nevojë dhe pikturoj cfarëdo që më kalon nëpër mendje. Dhe ato që kalonin nëpër mendjen e Frida Kahlos ishin imazhet më origjinale dhe më dramatike të shekullit të njëzetë.

Frida është portretizuar si njëheroinë politike dhe revolucionare, si një grua e vuajtur, si një bashkëshorte e keqtrajtuar, si një grua pa fëmijë dhe si një Ofeli meksikane. Shumë e shihnin atë si një njeri të plagosur por të pamposhtur nga vdekja.

Frida do të vlerësohe nga kujtimet e shumta që la pas. Ajo ishte një ndër krijueset më të mëdha të staturës së saj dhe pikërisht sepse ishte kaq komplekse dhe kaq e ndërgjegjshme për veten, miti i saj është plot me kontradikta. Për këtë arsye ekziston një hezitim mbi paraqitjen ose jo të atyre elementëve që mund të bien ndesh me imazhin që ajo krijoi për veten. Por e vërteta nuk e zvogëlon mitin e saj. Pas një vëzhgimi të hollësishëm, historia e Fridës mbetet po aq e jashtëzakonshme sa dhe miti i saj.

 

Të dhëna për librin

Titulli: Frida – Biografia e Kahlos

Autor: Hayden Herrera

Përkthyes: Ermira Danaj

Viti i botimit: 2021

Shtëpia Botuese: Dukagjini

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA