Gjokoviç humbet gjyqin, pritet të dëbohet nga Australia. I hiqet mundësia për të garuar në “Australian Open”

16/01/2022 08:36

Ylli i tenisit Novak Gjokoviç ka humbur gjyqin në Australi pas anulimit të vizës për shkak të problemeve me vaksinimin kundër koronavirusit dhe tani pritet të dëbohet nga vendi.

Gjyqtarët e refuzuan apelin e tij pasi qeveria anuloi vizën e lojtarit të pavaksinuar për herë të dytë këtë muaj për arsye të sigurisë së  shëndetit publik.

Vendimi i ka dhënë fund shpresave të 34-vjeçarit serb për të mbrojtur titullin e tij në Australian Open dhe për të fituar një Grand Slam të 21-të.

Gjokoviç tha se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer”, por se e respektonte vendimin.

“Unë do të bashkëpunoj me autoritetet përkatëse në lidhje me largimin tim nga vendi”, tha ai në një deklaratë.

Tenisti ishte planifikuar të luante ndeshjen e tij të parë të hënën.

Gjatë seancës gjyqësore të së dielës përpara një paneli prej tre gjyqtarësh, avokati i Gjokoviç argumentoi pa sukses se arsyet e dhëna nga qeveria ishin “të pavlefshme dhe të palogjikshme”.

Tenisti serb do të qëndrojë në paraburgim në Melburn deri në dëbimin e tij.

Top Channel