Tre të rinj janë arrestuar nga policia në Mirditë, pasi u kapën duke transportuar 17 kilogramë kanabis sativa.

Bazuar në informacione se shtetasit Altin Përshqefa, Shkelqim Përshqefa dhe Çelnik Përshqefa po transportonin lëndë narkotike nga Mirdita në drejtim të Lezhës, policia ka nisur menjëherë punën.

Tre të rinjtë, dy prej tyre vëllezër dhe kushëriri i tyre, janë kapur në vendin e quajtur “Gëziq’ të Mirditës, ndërsa pas kontrollit të ushtruar në automjetin e tyre janë sekuestruar 17 kilogramë kanabis.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, nga shërbimet e Policisë Lezhë u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Bisakë”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A.P., 31 vjeç, Sh.P., 32 vjeç dhe Ç.P., 35 vjeç, banues në fshatin Bisakë, Mirditë.

Shërbimet e Policisë Lezhë kishin marrë informacione se këta shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Mirdita në drejtim të Lezhës. Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur “Gëziq”, Mirditë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin e dyshuar tip “Benz”.

Gjatë kontrollit të automjetin me drejtues shtetasin A. P. dhe pasagjerë vëllain dhe kushëririn e tij, shërbimet e Policisë gjetën 17 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel