Kryebashkiaku u premtoi kompensim të dëmit, fermerët e luleshtrydhes në Fier sërish në protestë

13/01/2022 11:24

Fermerët e luleshtrydhes kanë dalë këtë të enjte sërish në protestë para bashkisë Fier.

Të mbështetur edhe nga Sindikata e Fermerëve të Bashkuar me kryetar Eduard Sharkën, ata  janë mbledhur para bashkisë dhe kërkojnë kompensim të dëmeve, që shkaktoi përmbytja e 12 dhjetorit 2021.

Në fund të dhjetorit, ata u takuan me kryebashkiakun Armando Subashi që u premtoi zgjidhje, por duket se situata mbetet e njëjtë.

Ishim para dy javësh te zyra e kryetarit, se ata as nuk morën mundimin të vinin të shikonin dëmet që ne kishim. Na premtoi se do të kthente përgjigje për dy tre ditë. Kanë kaluar dy tre javë, asnjë përgjigje. Nuk duam asgë tjetër veçse çfarë na takon me ligj. Nuk duam as mëshirë, as bamirësi. Ligji thotë që na takon (dëmshpërblimi). Nëse mendojnë se nuk na takon, të na e thonë dhe ne do t’i drejtohemi gjykatës”, shprehet një fermer.

Kryetari i sindikatës së fermerëve thotë se janë shkatërruar mbi 30 hektarë sera me luleshtrydhe dhe askush nuk ka ardhur për të parë dëmet:

Kryetari i bashkisë na premtoi ngritjen e komisionit për vlerësimin e dëmeve. Për ne ishte e papranueshme që kryetari i bashkisë tha do të shikojmë ligjin. Është e papranueshme që një institucion të thotë që ne do të kërkojmë interpretim të ligjit, ndërkohë që ligji ka dy vite që ka dalë. Ligji flet qartë. Pushteti vendor e ka detyrim ligjor të vlerësojë dëmet dhe të kompensojë fermerët për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Sot, pas një muaji, nuk ka ardhur askush për të parë dëmet. Janë dëmtuar mbi 30 hektarë sera me luleshtrydhe”.

Top Channel