Loja online me fjalë angleze që po shënon një sukses të madh, në vetëm pak kohë kapi dy milionë përdorues

12/01/2022 12:11

Javët e fundit, një lojë shumë e thjeshtë online ku duhet të hamendësosh një fjalë në gjuhën angleze, ka filluar të jetë pjesë e rutinës së shumë njerëzve, duke u bërë virale edhe në rrjetet sociale. Për të luajtur me të, duhet të kesh një njohuri të mirë të gjuhës angleze.

Kjo lojë quhet Wordle dhe kërkon pak logjikë dhe pak fat. Në një kohë mjaft të shkurtër ajo arriti të popullarizohej shumë shpejt, p.sh, me datë 1 nëntor, pak kohë që kishte dalë, 90 persona luanin me të, ndërsa me datë 2 janar luanin 300 mijë, duke shtuar edhe numrin e atyre që iu bashkuan fundjavën e kaluar, numri shkoi në 2 milionë përdorues.

Wordle u krijua nga Josh Wardle një programues nga Uellsi që jeton në Nju Jork, i cili luajti me fjalët e mbiemrit të tij për t’i dhënë emrin kësaj loje. Kjo lojë është pak e ngjashme me një lojë popullore në Shtetet e Bashkuara për shkak të shfaqjes televizive Lingo, e cila u transmetua nga fundi i viteve 1980.

Loja funksionon me përzgjedhjen e një fjale që ka vetëm pesë shkronja. Ndërsa personat që i bashkohen kësaj loje duhet të përzgjedhin shkronjat e duhura për të gjetur fjalën. Luhet online, falas dhe pa regjistrim, por vetëm një herë në ditë.

Wardle shpjegoi se lojën e krijoi për të dashurën e tij, e cila si ai është një adhuruese e fjalëkryqeve dhe lojërave që kanë të bëjnë me fjalët në përgjithësi. Fillimisht lindi si një ide për të kaluar kohën gjatë pandemisë së koronavirusit, por më pas u shndërrua në një obsesion në grupin e WhatsApp të familjes së tij.

Në mes të muajit tetor, ai vendosi ta ndante edhe me persona të tjerë në internet.

Në ditët e fundit loja është kaq virale sa një person vendosi të krijojë një aplikacion dhe ta ngarkojë atë në App Store të Apple, duke arritur kështu menjëherë një sukses të madh, por edhe duke tërhequr kritika të shumta për vjedhjen e idesë origjinale të lojës nga Wardle.

Ky i fundit ka deklaruar se suksesi i lojës së tij varet shumë nga fakti se është argëtuese, kërkon pak kohë dhe mund të luhet vetëm një herë në ditë.

Përveç lojërave të këndshme me fjalë, Wordle ka intriguar shumë matematikanë dhe njerëz që e duan këtë lloj enigme. Një përdorues ndau në Twitter një algoritëm që do ndihmonte lojtarët në gjetjen e fjalës së përzgjedhur vetëm përmes disa lëvizjeve, ndërsa një tjetër sugjeroi që fillimisht të shkruhej fjala “adieu” për të gjetur ose hequr një ose më shumë nga katër zanoret e saj.

Tim Gowers, profesor i matematikës në Universitetin e Kembrixhit, tha se është një ide e mirë të fillohet me dy fjalë që përmbajnë shkronja të përdorura shpesh, por që s’kanë asgjë të përbashkët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA