Durrësi, rekord infektimesh/ Rriten me shpejtësi shifrat, ka numrin më të madh pas kryeqytetit

12/01/2022 15:33

Varianti shumë ngjitës “Omicron” po shkakton një valë të re të përhapjes së infeksionit viral në Durrës.

Numri i infektimeve ditore vazhdon të rritet ditë pas dite duke prekur grupmosha të ndryshme, teksa qendrat shëndetësore, urgjenca spitalore dhe laboratorët e analizave po përballen me një fluks të shtuar të kërkesave të qytetarëve për vizita dhe kryerjen e testit për Sars-CoV-2. Edhe në shkollat e Durrësit ka mjaft mungesa mes nxënësve me simptoma gripale apo të Covid 19.

Zyrtarisht shifra e infektimeve ditore i ka kaluar 130 rastet, ndërsa shumë persona anashkalojnë paraqitjen te mjeku i familjes duke u vetëtestuar përmes testeve të shpejta të blera në farmaci. Durrsakët pohojnë se situata është kritike dhe vaksinimi e ruajtja e distancës mjaft të rëndësishme për të ndërprerë transmetimin e virusit dhe përhapjen e mëtejshme të tij.

Pas Tiranës, Durrësi kryeson me numrin më të lartë të infektimeve të reja. Brenda dy javëve të para të këtij viti, shifrat janë trefishuar, ndërsa një ditë më parë u deklaruan 1220 raste aktive në Durrës. Me ritme të kënaqshme po vijon edhe vaksinimi i popullatës. Sipas Njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Durrës janë bërë në total mbi 179 mijë doza, ndërsa është rritur ndjeshëm interesi për marrjen e dozave të para.

Top Channel