“Me cilën palë të PD-së do bashkëpunojë?”, Rama: Situatë e rëndë! Ata nuk kanë legjitimitet veç e veç

11/01/2022 10:30

Kryeministri Edi Rama e komentoi të pazakontë situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike, ku së fundmi kryedemokrati Lulzim Basha përjashtoi nga PD-ja Sali Berishën dhe mbështetësit e tij.

Marrëdhënien e tensionuar mes Bashës dhe Berishës, kryeministri e ka emërtuar një kacafytje  të veçantë, ku të dy protagonistët politikë janë të lidhur fort me njëri- tjetrin dhe nëse bie njëri, bie dhe tjetri.

“Fitoret kanë qenë karakteristikë e jona. Patjetër kjo është për të qarë dhe për të qeshur, por unë nuk mund të qaj për gjendjen dramatik që është PD. Nuk më rezulton që ne të kemi ndërtuar fortifikime për t’u mbrojtur prej tyre. Jemi të gjithë bashkë, jo në proces vetjak që janë të dyja kufomat që kanë marrë peng demokratët duke u kacafytur me njëri tjetrin. Është një kacafytje e veçantë, që po ra njëri bie dhe tjetri, janë dy mbetje të ndara përgjysmë”, tha Rama.

Sipas tij, demokratët duhet të dalin nga kjo situatë duke i lënë të dyja “kufomat” dhe parë përpara.

“Njëri kufomë me seli tjetri pa seli, njëri i mbyllur në selinë blu tjetri i kyçur në listën e zezë, uroj që demokratët të dalin nga kjo duke i lënë këto kufoma dhe duke parë përpara,tha kryeministri.

Në lidhje me pyetjen nëse do të ketë bashkëpunim me opozitën dhe me cilën palë të saj, Rama e la të hapur çështjen, duke theksuar se pritet si të do të jenë zhvillimet, nëse situata do të qetësohet apo jo. Sipas tij, Berisha dhe Basha nuk kanë legjitimitet veç e veç.

“Nuk dimë më se kush është kush në këtë histori dhe kush përfaqëson kë. Të dy këta të mbetur nga e shkuara në këmbë nuk kanë asnjë legjitimitet veç e veç. Deputetët e PD-së kanë legjitimë sepse janë aty me votën e popullit dhe për sa kohë ne do të shohim se ka shans për bashkëpunim, ne jemi aty për ta bërë atë. Unë uroj që të jetë një proces që shkon drejt një zgjidhjeje paqësore. Uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet të mbeten mbrapa. Policia e Shtetit ishte në sfidën e vet më të vështirë të këtyre 30 viteve pasi kurrë nuk i është dashur të futet në oborrin e një partie për të ndarë dy palë që kacafyten dhe që mund të shkojnë deri në gjakderdhje. Nuk ishte e nevojshme të fortifikohej PD, mund të thirrej policia dhe ta mbronte godinën. Situata është e vështirë dhe do të shikojmë si do të zhvillohet, uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet që janë anë të njëjtës medalje të mbeten mbrapa”, tha ai.

Rama foli pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, ku u vendos që në datën 29 Janar do të mbahet kongresi i PS, ndërsa pritet të bëhen edhe ndryshimet statutore.

“Ne kemi diskutuar për dy aktivitete të rëndësishme në vijim. Një aktivitet është në 15 janar, aktivitetet i rinisë socialiste dhe progresiste në funksion të një ri-organizimi tërësor të gjithë rrjetit rinor të Partisë Socialiste por edhe përtej Partisë Socialiste, në kuptimin e një rrjeti aktivizmi, vullnetarizmi dhe qytetarie progresive në funksion të komunitetit dhe shoqërisë.  Ne dëshirojmë të ndërveprojmë me të rinjtë dhe t’u japim mundësinë që të kenë një mbështetje për çfarë ata mund të jenë të interesuar të bëjnë si qytetarë, si aktivistë, si njerëz të interesuar përtej punëve të veta.  Është ngjarja e Kongresit të Partisë Socialiste  i cili do adresojë sfidat e përbashkëta të Partisë dhe qeverisë si shprehje e kësaj shumice për katër vitet që vijnë”, tha Rama.

Kujtojmë se këtë të martë, Sali Berisha u përjashtua përgjithmonë nga Partia Demokratike bashkë me mbështetësit e tij.

Në një mbledhje maratonë të kryesisë, që nisi në orën 19:00 të së hënës dhe përfundoi në orën 3:30 të mëngjesit, u mor vendimi për përjashtimin e anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, si Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Ndërkohë, janë pezulluar deputetët: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Zhvillimet brenda partisë vijnë tre ditë pas protestës të thirrur nga Berisha.

Demokratët u mblodhën para selisë blu, në një tubim që përfundoi në përplasje fizike. Shtëpia e demokratëve u dëmtua pas përpjekjeve të protestuesve për të hapur dyert e dritaret e për liruar, siç thonë ata, nga kthetrat e Bashës, selinë që i përket të gjithë demokratëve.

Muajt e fundit, Partia Demokratike është përballur me një betejë të brendshme politike mes kryedemokratit Lulzim basha dhe mbështetësve të tij e nga ana tjetër Sali Berishës dhe mbështetësve të tij.

Berisha thirri Kuvendin Kombëtar të partisë në 8 dhjetor dhe më pas në vend u mbajt referendumi, ku demokratët votuan për shkarkimin e Bashës dhe u ngrit Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së. Të gjitha këto lëvizje të Berishës, janë cilësuar jo legjitime nga PD-ja zyrtare.

FOTO GALERI
2/15

Top Channel