Kryeministri Rama ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me demokratët për të folur rreth situatës në Partinë Demokratike, ku mbështetësit e thirrur nga Sali Berisha nuk hezituan të shqyenin derën e të thyenin xhama për të hyrë brenda selisë blu.
Në fjalën e tij, Rama tha se e kanë telefonuar miq e personalitete të huaj për ta pyetur nëse gjithçka po ndodhte ishte e vërtetë, ndaj thekson se përgjegjësi duhet të mbajnë Basha e Berisha, që i konsideron personazhe pa mesazh më të fortë sesa akuza se kush nga të dy është shërbëtori i tij.
Edi Rama: Ndodhia e djeshme ishte shumë e rëndë për demokratët por edhe për të gjithë Shqipërinë. 3 a 4 miq të huaj më kanë marrë të më pyesin të habitur: “a është e vërtetë që selia e PD është sulmuar nga mbështetësit e saj”. Lajmi mori dhenë, është absurd, sa i rëndë, aq edhe qesharak sa në një vend demokratik, sulmohet me dhunë selia e partisë së opozitës nga vetë mbështetësit e saj.
Nuk ka ndodhur asnjëherë diçka kaq ekstreme që shkon përtej çdo logjike dhe sigurisht shumëkush mund të mendojë se për mua është e mirëseardhur. Nuk i vë faj kujtdo që mendon se është e mirëseardhur në aspektin cinik të politik por një zhvillim i kësaj natyre që patjetër e dobëson ushtarin politik, në fakt e godet vendin, godet shoqërinë dhe të gjithë ngrehinën.
Kjo dëmton dhe gjithë kornizën institucionale të vendit. Kjo është përgjegjësia e dy personazheve pa asnjë vizion ardhmërie, pa asnjë projekt politik, pa asnjë mesazh më të fortë sesa akuza se kush nga të dy është shërbëtori im. Pikë e zezë.
Teksa protestuesit hynë në katin e parë dhe dhuna po agravonte, Lulzim Basha kërkoi ndihmën e policisë, e cila ndërhyri menjëherë për të shpërndarë protestuesit. Kryeministri thotë se meritojnë falenderim dhe respekt sepse shmangën tragjedinë dhe mbajtën standardin e njëjtë si për mbrojtjen e godinës së qeverisë.
Edi Rama: Për herë të parë në historinë e vet, policia është sfiduar me potencialin e gjakderdhjes për shkak të një kacafytje në oborr. Policia e stërvitur në tërë këto vite për të përballuar këtë lloj materie politike, këtë lloj qasje dhe drejtimi politik që e përfshin dhunën si mjet në agresionin ndaj godinave, dje meritoi respektin e të gjithëve dhe sot meriton një falenderim të posaçëm sepse mbajti të njëjtin standard siç e ka krijuar në mbrojtjen e godinës së qeverisë nga kjo materie, nga kjo prurje, nga kjo turmë e cila dje ishte e ndarë përgjysmë, njëra pjesë brenda, njëra pjesë jashtë godinës dhe sulmet e të dy palëve pasi u shmang tragjedia.
Gjërat u kthyen në një farë normaliteti janë një shëmbëlltyrë e një të vërtetë të hidhur se të dyja këto kufoma janë shumë larg idesë së shtetit, kulturës së respektit për institucionet sepse janë e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë.
Duke qenë se ky është një bashkëbisedim do të doja që të vazhdoja t’i drejtoja këto aspekte të kësaj teme duke i referuar atyre që kanë shkruar.
Ndër të tjera, kryeministri theksoi se nuk argëtohet aspak nga kjo situatë dhe skenat e një ditë më parë i cilëson si ulërimë dhe kafshëri.
Edi Rama:Nuk argëtohem kur shoh se si i ndukin puplat e njëri-tjetrit. Këtu është e domosdoshme që të gjithë të bëjnë diçka për paqe e urtësi dhe kjo përçarje që i pari, plaku e ka mishëruar që në ditën e parë si një mjet për t’i sunduar shqiptarët dhe i dyti, pasardhësi i marrë në dorë si hija e plakut e ka vijuar si një instrument thjesht politik. Duhet parë me sytë hapur nga të gjithë shqiptarët, gjithë njerëzit e zakonshëm do të shohin që nuk mund të jenë kontributor në gjakun e prishur. Këtu nuk bëhet fjalë për një luftë ideologjike.
Skenat e djeshme janë ulërimë e një mungese të madhe përgjegjshmërie, qytetarie dhe një kafshërie që është një fazë e avancuar e degradimit të një partie politike. Dje pamë kafshëri në mënyrën e përdorimit të mjeteve për tu mbrojtur apo sulmuar. Fatmirësisht u shmang kafshimi i përgjakshëm.
Nuk mungoi mesazhi i kryeministrit për të gjithë demokratët. Rama i thotë se duhet të bëjnë të pamundurën për të çliruar politikën që të mos ketë përsëritje të skemave të tilla.
Edi Rama: Unë jam këtu për t’i thënë demokratëve që duhet të bëjmë çmos që ta çlirojmë politikën e këtij vendi, këtë aspekt që na mban peng të gjithëve, të dasisë së thellë dhe një urrejtje të brendshme mes të dyja kampeve dhe duhet të gjendet rruga që kjo kacafytje të mbarojë dhe të mos kemi më skena të tilla, ndërkohë që demokratët do e gjejnë vetë atë që i duhet për t’i udhëhequr, por në kushtet ku jemi, do kërkojë kohën e vet.
Nga ana tjetër është e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për të fërkuar duart. Sigurisht është forca e kundërshtarit, ka krijuar arsyet për të na dhembur koka ne të tjerëve por ka mbajtur në ekuilibër sistemin demokratik.
Në bashkëbisedimin me demokratët, tha me bindje se nuk ka opozitë prej kohësh në Shqipëri. Për këtë shton se opozita që sfidon fizikisht, është e destinuar të humbasë. Nuk la pa përmendur se protestuesit e ditës së djeshme që ishin të ndarë, që sipas tij për shumë vite kanë qenë të bashkuar dhe kanë përdorur shpesh të njëjtat mjete për të sulmuar qeverinë.
Edi Rama:Sigurisht që ky vend ka nevojë për opozitë dhe nuk ka opozitë sot. Ky vend ka kohë që nuk ka opozitë. Nuk është opozitë ajo e cila është shfaqur para nesh në të gjithë këto vite. Këtë e kam thënë me kohë e vakt. Një opozitë që të sfidon fizikisht, është e destinuar të humbasë.
Një opozitë që nuk të sfidon mendërisht dhe me kurajon për të parë të ardhmen në një mënyrë më të avancuar, që nuk sfidon me guximin për ta projektuar të ardhmen me reforma më të avancuara se të pozitës, por me molotov, se ata që dje ishin të ndarë, kanë qenë për shumë vite bashkë dhe kur kanë ardhur këtu poshtë kanë përdorur të njëjtat mjete. Ishin të rrethuar dje dhe unë e besoj që realisht kaluan orë shumë të vështirë.
Rama iu përgjigj dhe një demokrati duke i thënë se demokracia nuk mbrohet me dhunë. Teksa Bashën dhe Berishën i cilësoi si pengmarrësit më të mëdhenj të skenës demokratike të Shqipërisë, kryeministri zgjodhi të ndalej në komentet për ta.
Edi Rama: Demokracia nuk mbrohet me njerëz me njerëz me shkopinj që shfaqen me penxheret për tu dhënë hu atyre që hipin nga shkallët. Unë nuk mbroj kaq shumë për Lulin tim. Nuk kam asnjë respekt as për Lulin tim, as për Saliun tënd. Janë dy pengmarrësit të skenës demokratike të Shqipërisë. Dy, dy, nejse…
Në një moment, Rama flet i shqetësuar për situatën në selinë e PD duke thënë se është e paimagjinueshme dhe nuk ka bërë vaki në asnjë vend që mbështetësit të sulmojnë godinën e partisë së tyre. Ndaj tha se është i turpëruar si shqiptar kur e marrin miq të pyesin nëse lajmi i protestës është i rremë apo jo.
Edi Rama: Nuk është personale kjo, nuk është as partiake, është shoqërore, është shqiptare, njerëzore, nuk mund të jemi vend që na tregojnë me gisht si njerëz me bisht që merr dhenë lajmi se mbështetësit e opozitës sulmuan godinën e partisë së tyre. Ku ka bërë kjo vaki? Në cilin pyll? Në cilën xhungël ka bërë vaki kjo? Është e paimagjinueshme, Ndihem i turpëruar si shqiptar kur më marrin miq, personalitete e më pyesin a është lajm i rremë. Nuk e kuptojnë njerëzit se çfarë janë ata që kacafyten me shkallë, me çekiç, varre, matrapik e me gurë e ca dreqin hidhej nga lart. Mungonin veç kovat me zift që të hidheshin nga lart.
Top Channel