Të paktën 21 persona kanë vdekur pasi bora e madhe i ka bllokuar në automjetet e tyre në veri të Pakistanit. Shërbimi pakistanez i shpëtimit Rescue ka publikuar listën me emrat e 21 viktimave. Mësohet se në mesin e viktimave është edhe një oficer policie, bashkëshortja e tij dhe gjashtë fëmijët.
Policia konfirmon se familja e oficerit ka ndërruar jetë nga i ftohti në makinën e tyre, ndërsa nuk është bërë ende e qartë nëse viktimat e tjera kanë vdekur nga i njëjti shkak apo nga helmimi me monoksidit të karbonit që kanë thithur brenda automjeteve të tyre.
Rreth 1,000 automjete u bllokuan në një autostradë gjatë një stuhie, sipas ministrit të Brendshëm Sheikh Rashid. Murree është një qytet turistik malor në veri të kryeqytetit Islamabad. Mediat lokale raportuan të premten se turistët po bllokoheshin për shkak të borës. Më shumë se 100,000 makina kishin hyrë në Murree ditët e fundit për të parë reshjet jashtëzakonisht të mëdha të borës. Kjo shkaktoi një bllokim të madh trafiku në rrugët që të çojnë brenda dhe jashtë qytetit, tha policia.
Ministri i Brendshëm pakistanez, Sheikh Rahid Ahmed, tha se ushtria është mobilizuar për të pastruar rrugët dhe për të ndihmuar mijëra njerëz që janë ende të bllokuar në autostradë. Videot e postuara në rrjetet sociale paraqesin automjete të bllokuara në rrugë me një metër borë mbi to.
“Njerëzit po përballen me një situatë të tmerrshme,” tha një qytetar për AFP. Ndërkohë, kryeministri pakistanez Imran Khan është shprehur i tronditur por edhe i indinjuar nga tragjedia.
Top Channel