Dy gazetarë investigativë digjen nga bandat në Haiti, pas raportimeve për mungesën e sigurisë (fotot)

07/01/2022 15:33

Dy gazetarë janë vrarë me armë e më pas djegur të gjallë nga bandat në Haiti teksa raportonin mbi mungesën e sigurisë në kryeqytet.

Amady John Wesley, gazetar i Radio Écoute FM, vdiq së bashku me Wilguens Louissaint kur anëtarë të bandës ‘Ti Makak’ i sulmuan ata dje në zonën Petion-Ville, të kryeqytetit Port-au-Prince.

Dy të ndjerët kishin ardhur në zonë bashkë me një gazetar të tretë që kishte arritur të shpëtonte, për të raportuar mbi luftën mes bandave në këtë zonë.

Radio Écoute, me bazë në Kanada, tha për rrjetin CNN se anëtarët e bandës i kishin qëlluar me armë dhe më pas i kishin djegur të gjallë.

“Ne dënojmë me termat më të ashpra këtë akt barbar e kriminal”, tha  Francky Attis, drejtor i përgjithshëm i Radio Ecoute FM.

Deklarata e tij denonconte sulmin e rëndë ndaj jetës së gazetarëve që ushtronin profesionin e tyre të lirë në vend.

Haiti, kombi i Kaibeve që ndaj ishullin Espaniolia me Republikën Domenikane, ka qenë prej kohësh në trazira dhe vështirësi ekonomike, sidomos pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2010 ku u vranë mijëra njerëz dhe u shkatërrua shumica e kryeqytetit.

Në korrik të vitit të kaluar presidenti i vendit Jovenel Moïse u vra në një atentat në rezidencën e tij zyrtare, për çka dyshohen armiqtë e tij politikë dhe ndërhyrjet e huaja.

Mes mungesës së rendit kanë lulëzuar bandat kriminale që tashmë kontrollojnë një pjesë të infrastrukturës së vendit.

Lufta e territoreve në Port-au-Prince ka nisur mes zonave më të varfra dhe është përhapur dhe në zonat e pasura të kryeqytetit dhe rrethinat.

Haiti ka regjistruar 950 pengmarrje në vitin 2021, sipas qendrës së analizës për të drejtat e njeriut ne vend.

Policia e Haitit është e paarmatosur dhe e pajisur mirë, përkundër bandave të organizuara.

Në mars të vitit të shkuar 12 oficerë policie u vranë në një tentativë grabitjeje në një zonë problematike të Port-au-Prince.

Vrasja në vitin 2000 e gazetarit më të njohur vendas Jean Dominique, mbetet ende e pazgjidhur.

Në qershor 2021, u vra gazetari Diego Charles së bashku me një aktivist të opozitës dhe 13 njerëz të tjerë. Autorët ende nuk janë identifikuar nga autoritetet.

FOTO GALERI
5/5
Në korrik të vitit të kaluar presidenti i vendit Jovenel Moïse u vra në një atentat në rezidencën e tij

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA