Adolf Hitleri detyrohet të punojë nga shtëpia pas përhapjes së virusit në zyrat e bashkisë (fotot)

06/01/2022 18:28

Një administrator lokal në Namibi, Adolf Hitler Uunona, i cili mban emrin e diktatorit famëkeq nazist, ka thënë më herët se tashmë është “shumë vonë” për ta ndërruar.

Por tashmë dhe “Hitleri afrikan” është detyruar të punojë nga shtëpia prej një përhapjeje të koronavirusit në zonën e tij.

Administratori rajonal tha për mediat se po punon nga shtëpia prej shtimit të rasteve të infektimit në rajonin verior të Oshana.

Ai shtonte se autoritetet po dezinfektonin të gjitha ambjentet e këshillit bashkiak, përfshi dhe zyrën e Hitlerit.

Zyrtari është emëruar kështu nga babai i tij por u zgjodh në post me 85 përqind të votave në zgjedhjet e vitit të kaluar, për këshillat rajonalë në Namibi.

Namibia njihej më parë si “Afrika gjermane jugperëndimore” dhe ka ende shumë emra gjermanë, por Uunona pretendon se babai i tij nuk dinte gjë për veprimet e Hitlerit.

Uunona, i partisë në pushtet SWAPO tha për të përditshmen gjermane Bild: “Babai im më vuri emrin e atij burrit, por me shumë gjasa nuk e dinte se çfarë kuptimi kishte”.

“Kur isha fëmijë ishte për mua një emër shumë normal. Kur u bëra adoleshent e kuptova se ky njeri donte të sundonte botën”.

Politikani përdor zakonisht emrin Adolf Uunona, dhe thotë se tashmë është shumë vonë për ta ndryshuar.

Ai thotë: “Fakti që e kam emrin kështu nuk do të thotë se dua të sundoj në Oshana, nuk do të thotë se dua të dominoj botën.”

Namibia ka ende një komunitet të vogël gjermanisht-folës dhe vizitohet çdo vit nga rreth 120,000 gjermanë.

Në vend ka rreth 30,000 gjermano-namibianë që njihen si ‘Deutschnamibier’ madje kanë krijuar dhe një flamur të tyrin për evente të veçanta.

Rreth 0.9 përqind e namibianëve flasin gjermanishten si gjuhën e tyre të parë, sipas një censusi të vitit 2011.

Qeveria e Gjermanisë ka thënë më parë se ka “përgjegjësi të veçantë” ndaj Namibisë prej të kaluarës “së përbashkët koloniale mes vendeve”.

FOTO GALERI
1/3
“Hitleri afrikan” është detyruar të punojë nga shtëpia prej një përhapjeje të koronavirusit në zonën e tij.

Top Channel