Rama prezanton formularin e Këshillimit Kombëtar, në daljen e parë të 2022-shit

05/01/2022 17:42

Me moton “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”, kryeministri Edi Rama ka nisur të mërkurën pasdite komunikimin publik me qytetarët. Përmes këtij komunikimi në rrjetin social Facebook, Rama i prezantoi qytetarët edhe me formularin e Këshillimit Kombëtar.

Kryeministri shqiptar tregoi se çdo qytetar mbi 18 vjeç do të plotësojë formularin me qëllimin për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre temave.

Do filloni të merrni në shtëpitë tuaja letrat për këshillimin kombëtar. Qeveria do kërkojë mendimin tuaj për një sërë temash që kanë të bëjnë me drejtësinë me korrupsionin dhe ato që kanë të bëjnë me ecurinë e procesit të integrimit. Është një formular shumë i thjeshtë ku secili anëtar i një familje do e plotësojë dhe do e kthejë mbrapsht për të na mundësuar të kemi një përgjithësim sa më të saktë. Mund ta marrësh këtë formular fizikisht në banesën tende ose online në e-albania“, tha Rama, duke zbuluar “referendumin” për disa nga çështjet më delikate.

Rama tregoi se do të jetë një proces dëgjimi që shkon përtej shumicës politike dhe fjala është për një sërë pyetjesh qëllimi i të cilave është të dëgjohen sa më seriozisht problemet e qytetarëve.

Plotësimi i tij nuk do të jetë i detyrueshëm”, tha kryeministri, në daljen e tij të parë për 2022.

Ai tha se një çështje kryesore ku do të punohet është edhe “shtrëngimi” i skemës së sigurimeve, me qëllim që të gjithë të kontribuojnë.

Kryeministri Rama ceku vetëm pjesën ku vetë buxheti i shtetit dëmtohet duke e cilësuar “grabitje të skemës së pensioneve”.

Ai nënvizoi se nga kjo sjellje e bizneseve “pamundësohet rritja e pensioneve”.

Do të marrim masa realisht të dhimbshme për ata që nuk do të reagojnë për deklarimin e pasaktë të pagave”, tha Rama.

Qeveria Rama ka tentuar disa herë të luftojë këtë fenomen që pagërrjedhja dëshmoi se është përhapur masivisht në Shqipëri. Po pagërrjedhja tregoi se përpjekjet e qeverisë deri tani kanë qenë jo efektive.

Të shtrëngojmë skemën e sigurimeve, që të kontribuojnë të gjithë, jo që një pjesë të fsheh paranë që t’i shmangen taksave dhe kontributeve shoqërore”, tha Rama.

Hera e fundit që Rama premtoi luftë ndaj evazionit fiskal dhe punonjësve që nuk deklarohen ishte gjatë pandemisë. Ai u zotua për “shpërblim” për punonjësit që denonconin punëdhënësin.

Sipas tij, kjo nismë vjen edhe pas skandalit të publikimit të pagave, ku u vu re se një pjesë e mirë nuk kishin deklaruar pagën e plotë të punonjësve të tyre.

I pyetur nga publiku për krizën energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, ai tha se, “Shqipëria po ia del” të përballet me krizën energjetike.

Por sipas tij, “pa e lënë atë të rrëshqasë te qytetarët apo bizneset”.

Kjo përballje ka kosto”, tha Rama, duke vijuar me përgjigjet për pyetjet e tjera.

Rama u ndal dhe te rindërtimi, për të cilën, publiku e ka pyetur rreth mungesës së pajisjeve shtëpiake dhe mobilimit të tyre.

“Deri këtu ka qenë detyrimi i qeverisë shqiptare”, tha ai, “me taksat e shqiptarëve është bërë më shumë se sa normalisht”.

Sipas kreut të qeverisë, “janë ndërtuar mijëra shtëpi me buxhetin e shtetit dhe po jepen falas”.

Nuk ka programe rindërtimi falas dhe është e tepërt të kërkohen pajisje”.

Ai bëri me dije se synohet rikthimi në shtëpi për një numër të konsiderueshëm familjesh në Thumanë, Durrës, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Kurbin dhe Manzë.

Top Channel