Nata e ndërrimit të viteve është shoqëruar me atmosferë festive në të gjithë Shqipërinë. Në Shkodër, organizimet nga bashkia munguan, ndërsa qytetarët u mblodhën në shesh për të ndjekur spektaklin e fishekzjarreve.

Shumë të rinj, iu drejtuan më pas lokaleve, për shkak të heqjes së orarit të kufizimit nga qeveria.

Në Bulqizë edhe pse temperaturat shënonin nën zero qytetarët u mblodhën në pedonalen e qytetit për të festuar, ndërsa nga policia nuk u shënua ndonjë incident, dhe as persona me nevojë për trajtim mjekësor.

Në Durrës, festa erdhi ndryshe këtë vit. Emaar Group, kompania pas ndërtimit të portit të ri organizoi një koncert në shëtitoren Taulantia, ndërsa festa kulmoi me hedhjen e fishekzjarrëve.

Ndërkohë në Lushnjë dhe Fier, qytetarët shijuan fishekzjarret, ndërsa pas tyre të rinjtë iu drejtuan edhe lokaleve të natës.

Në Bashkinë e Vlorës nuk kanë munguar përveç fishekzjarrëve edhe këngët dhe vallet nga qytetarët, të cilët ndërrimin e viteve e pritën në zonën historike të qytetit, ku bashkia kishte organizuar edhe një koncert.

Në Elbasan 2022-i u prit me një spektakël fishekzjarresh. Qytetarët magjinë e dritave ne qiell e ndoqën ne sheshin “Aqif Pasha”, ndërsa heqja e orareve kufizuese mbushi plot baret pas mesnate.

Korça gjithashtu priti me atmosferë festive natën e ndërrimit të viteve, ndërsa qytetarët u mblodhën në pedonalen e qytetit.

Në Gjirokastër spektakli i natës së ndërrimit të viteve u organizua në pjesën historike të qytetit, me një spektakël fishekzjarrësh nga kalaja.

Top Channel