“Shqipëria nuk është Tirana”/  Avokatët në Lezhë kundër hartës së re gjyqësore: Drejtësia s’mund të jetë vetëm e atyre që kanë para

31/12/2021 12:44

Harta e re gjyqësore, e propozuar nga Ministri i Drejtësisë dhe Kryetarja e KLGJ po kundërshtohet nga avokatët në të gjithë vendin.

Këtë të premte, ka reaguar zyra e avokatisë në Lezhë, sipas së cilës Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ nuk ka analizuar mungesёn e ambienteve tё gjykatave ekzistuese dhe mungesёn e Gjyqtarёve.

Mesatarja Europiane pёr 100 mijё banorë ёshtё 22.5 gjyqtarë, nё Shqipёri kemi njё mesatare prej 12.5 pёr 100 mijё banorë. Si tё mos mjaftojë ky fakt, realiteti i kriminalitetit dhe i problemeve tё pronёsisё nё Shqipёri ёshtё shumëfish mё i lartё se nё Europë”.

Sipas përfaqësuesve ligjorë, ky ndryshim do të penalizonte ata që jetojnë në rrethe dhe nuk kanë mundësi ekonomike.

Drejtësia nuk mund të jetë e drejtë vetëm e atyre që kanë para. Aksesi në drejtësi është thelbësor për të pasur drejtësi. Me këtë logjikë i bie të bëjnë vetëm 1 gjykatë në Tiranë për mbarë vendin që mund ta arrijnë vetëm të pasurit. Ulja e numrit të gjykatave, indirekt stimulon shpopullimin e zonave periferike të vendit pasi ul shërbimet.

Shkrirja e gjykatave vret profesionin e avokatit në këto zona duke detyruar këtë kategori të zhvendoset me banim në zonat ku përqendrohen gjykatat. Kjo varfëron intelektualisht zonat në fjalë. Mjafton të shikoni gjykatat administrative për të kuptuar se ulja e numrit të tyre është dështim që në nisje. Ishin 6 shkallë të para dhe 1 apel për gjithë vendin. Në shkallë të parë gjyqi mbaronte nga 3 muaj deri në 1 vit, apeli vonon 4 vite e sipër”.

Avokati bie dakord me përqendrimin e Gjykatave të Apelit, por jo të shkallës së parë. “Për vetë faktin se proceset gjyqësore po zgjaten me vite të tëra dhe qytetarët po i shpërfillin. Nuk bëhet drejtësi duke demotivuar qytetarët t’i drejtohen Gjykatës, por duke dhënë drejtësi për gjyqet që qytetarët vendosin të hapin. Na kushton më pak të rrisim numrin e gjyqtarëve dhe gjykatave të apelit sesa e  kundërta”, thotë ai.

Qeveria e Gjyqësorit ka vendosur të mbyllë 15 gjykata në vend, nën argumentin se nuk janë funksionale.

Midis tyre, pesë janë gjykata e apelit, që mblidhen në një të vetme në Tiranë dhe 10 gjykata të shkallës së parë.

Me logjikën një qark një gjykate, Këshilli i Lartë Gjyqësor pretendon se do të ofrojë akses për qytetarët, do të minimizojë backlogun dhe s’do ketë zvarritje. Sidoqoftë, duhet parë nëse do të jetë funksional apo jo edhe ky projekt.

Top Channel