“Të dashura bijat e mia , kjo kartolinë që po ju shkruaj uroj t’ju gjejë mirë. Unë dhe babi do ju bashkohemi së shpejti, duroni edhe pak. Ju dua shumë! Gëzuar 2022”.

Një urim i vështirë ky i Marida Shehit për dy vajzat e saj të mitura, jo vetëm sepse ajo gjendet në qeli, por sepse fëmijët nuk kanë asnjërin nga prindërit pranë. 32-vjeçarja u arrestua në maj dhe duhet të vuaje tre vite burg në të njëjtën kohë me bashkëshortin, pas akuzës se mashtruan me biletat e udhëtimit përmes një agjencie që falimentoi.

Nuk u tregoj, u them jam këtu, vonohem dhe pak, s’ka festë, ne bëjmë gëzuar për inerci këtu në burg”, rrëfen Marida.

Për Maridën, urimi më i mirë do të ishte “Paç amnisti sa më shpejt”, por kjo është e pamundur, duke qenë se të burgosurit këtë vit nuk përfituan falje. Lutja për “një vit të mbare” në burg ka vetëm një kuptim.

E dashur Anila, të uroj nga zemra gëzuar vitin 2022. Kur jemi jashtë këtyre mureve, s’e kuptojmë sa e shtrenjtë është liria” i shkruan Marida gazetares Anila Hoxha.

Në burgun “Ali Demi”, 64 gra mbahen si të burgosura dhe të paraburgosura. Të gjitha shfrytëzojnë çastet e fundit të 2021-t për të uruar jo vetëm njëra-tjetrën por edhe gardianët. Me vetëm një urim, të bashkohen sa më shpejt me të afërmit .

Top Channel