“2022 do jetë vit i vështirë”, kështu është shprehur për mediat këtë të mërkurë kreu i SPAK, Agim Kraja, duke theksuar se do të ketë intensitet të hetimeve për korrupsion.

“2022 do të jetë i vështirë për ata që shkelin ligjin”, tha Kraja.

Për skandalin e ndodhur së fundmi me publikimin  të dhënave, ai tha se nuk është në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme çështja e nxjerrjes së të dhënave personale përmes databazës së shpërndarë në rrjet.

“SPAK vijon në bazë të kompetencave dhe nxjerrja e të dhënave nuk është në kompetencën tonë, nëse pas hetimeve do të jenë çështje që do të na përkasin do të merremi patjetër me hetimin, tha Kraja.

Kujtojmë se Prokuroria njoftoi se ka nisur hetimet për publikimin e pagave të mbi 630 mijë punonjësve shqiptarë dhe të huaj, si në sektorin publik dhe atë privat, një skandal që solli reagimin e të gjithë qytetarëve në vend.

Ky material u shpërnda fillimisht në aplikacionin “WhatsApp” dhe për të vazhduar më pas në rrjetet sociale dhe në disa media online.

Për juristët, publikimi i të dhënave personale nuk është vetëm thyerje e privatësisë, por ata parashikojnë se keqbërësit do shfrytëzojnë kartën e identitetit, numrin e telefonit dhe targën e makinës.

Duke i publikuar këto të dhëna personale mund të kemi rritje të kriminalitetit në aspektin e krimit kibernetik, hakera të ndryshëm të cilët mund të orientojnë operacionet e tyre tek shumë njerëz që u dinë edhe pagën.

Ndërsa për publikimin e targave të makinës, e cila ndodhi pak ditë pas asaj të pagave,  dikush që do të bëjë një krim tashmë e ka shumë më të lehtë, për të ndjekur prenë apo viktimën e tij.

Sa i përket pyetjes se çfarë do të thotë “Peshk i Madh” për SPAK, Kraja theksoi se për Prokurorinë e Posaçme nuk ekziston ky koncept, pro ka vetëm njerëz që shkelin ligjin.

“Nuk ka koncept peshk të madh SPAK-u”, u përgjigj Kraja.

Këtë të mërkurë po zhvillohet mbledhja e dytë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku u diskutua edhe harta e re gjyqësore.

Qeveria e Gjyqësorit ka vendosur të mbyllë 15 gjykata në vend, nën argumentin se nuk janë funksionale. Midis tyre, pesë janë Gjykata e Apelit, që mblidhen në një të vetme në Tiranë dhe 10 gjykata të Shkallës së Parë.

“Prej dy vjetësh, këshilli ka vendosur në funksion mekanizmin e emergjencës për plotësimin e trupave në gjyqe dhe kemi caktuar nga janari në nëntor 2021, 866 gjyqtarë, ky numër do të jetë më i lartë gjatë vitit të ardhshëm veçanërisht pas thellimit të vakancave”, tha kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami një ditë më parë.

Ndonëse nuk ka një bilanc konkret se sa do të jetë kosto, parashikohet që të ketë kundërshtime menjëherë sapo drafti të hidhet për diskutim në janar të vitit 2022.

Do të aksesohet komplet nga qytetarët, duke parë edhe lëvizjet demografike që kane sjelle përqëndrim të popullsisë në Tiranë dhe Ultësirën Perëndimore”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Me logjikën një qark një gjykate, Këshilli i Lartë Gjyqësor pretendon se do të ofrojë akses për qytetarët, do të minimizojë backlogun dhe s’do ketë zvarritje. Sidoqoftë, duhet parë nëse do të jetë funksional apo jo edhe ky projekt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA