Arrestohet shkaktari i aksidentit/ I mori jetën dje në aksident të miturit 3 vjeç dhe babait të tij

28/12/2021 15:09

Në aksin rrugor Milot-Rrëshen janë të dukshme pasojat e aksidentit, ku një natë më parë humbi jetën Shkurt Prenga dhe djali i tij 3-vjeçar.

Arlind Mihait, drejtuesi i automjetit tip ‘Benz’ që u përfshi në aksidentin tragjik dje i është komunikuar sot masa e arrestit në spital.

Këtë të martë kanë qenë ekspert për të verifikuar vendin e ngjarjes, ku dyshohet se shkak i aksidentit të rëndë, ku humbën jetën 3-vjeçari bashkë me të atin, Shkurt Prenga, është bërë një parakalim i gabuar i kryer nga ana e Mihait, makina e të cilit u përfshi edhe në flakë.

Ngjarja u regjistrua pasditen e djeshme, rreth orës 16:30, në afërsi të Milotit. I mituri me iniciale O.P., ishte në sexholino, në sediljen e pasme makinës tip ‘Opel’ ndërsa dy prindërit ndodheshin para ku u përplasën me makinën tip ‘Benz’.

Makina ku udhëtonin tre anëtarët e familjes Prenga nga fshati Rrilë i Lezhës është përplasur më tej me barrierat mbrojtëse të rrugës. Vetëm pak minuta pas ngjarjes ndërroi jetë dhe Shkurt Prenga babai i 3-vjeçarit, e ndërsa bashkëshortja e këtij të fundit ndodhet në Spitalin e Traumës.

Gjithashtu dhe Arlind Mihai ndodhet në Spitalin e Traumës, ku ditën e sotme u arrestua nga specialistet e njësisë operacionale të autostradës si fajtor për këtë aksident tragjik.

 

 

 

Top Channel