Teoria e relativitetit e Albert Einstein kalon testin më të fortë pas studimit 16-vjeçar të sistemit ‘pulsar unik’ (fotot)

25/12/2021 21:28
Simulim artistik i sistemit pulsar te observuar

Shkencëtarët shpresojnë prej kohësh të gjejnë ‘krisje’ në teorinë madhore të fizikës, por “Relativiteti i Përgjithshëm” rezultoi sërish një kockë e fortë për t’u thyer.

Që kur Albert Einstein propozoi zyrtarisht teorinë e tij të relativitetit në  1916, ajo i ka rezistuar çdo gjëje që shkencëtarët i kanë hedhur kundër, sado që është tentuar të kundërshtohet fakti se graviteti që ne njohim, është vetëm “shtrembërim i copës kohë-hapësirë të shkaktuar nga objekte masive që lëshohen në të”.

Kjo teori ka përshkruar në mënyrë të përkryer observimin e yjeve që kalojnë afër vrimës së zezë “super-masive” në qendër të galaktikes sone Rruga e Qumështit, apo dhe ekzistencën e valëve gravitacionale, zbulimi i të cilave fitoi çmimin Nobel të fizikës në 2017.

Tashmë shkencëtarët thonë se teoria e relativitetit ka kaluar me nota të shkëlqyera një tjetër test, siç ishte observimi i sistemit të dyfishtë ‘pulsar’ të bërë nga teleskopë të ndryshëm të botës gjatë 16 viteve.

Sipas studiuesve të drejtuar nga Michael Kramer i institutit Max Planck të Radio-Astronomisë në Gjermani, efektet e vëzhguara përputhen me teorinë e përgjithshme të relativitetit në të paktën 99.99%.

Pulsarët janë yje neutron me rrotullim të shpejtë dhe magnetizim të lartë, që lëshojnë radiacion elektromagnetik nga polet në drejtime të kundërta.

Këto objekte janë tejet kompakte dhe mund të pranojnë brenda një sfere sa një qytet, një masë më të madhe se të Diellit, thonë studiuesit.

Megjithse drita e lëshuar nga këto objekte kozmike është e qëndrueshme, shufra e dritës së tyre nuk përputhet me aksin e rrotullimit të pulsarit.

Prandaj nga këndvështrimi i tokës duket sikur ata kanë një dritë me rrahje prej rrotullimit shumë të shpejtë. Për këtë arsye ata shpesh krahasohen me faret.

Yjet neutron janë si njëfarë laboratori ideal kozmik për testimin e teorisë së relativitetit, prej influencës së tyre të madhe gravitacionale.

Vetëm vrimat e zeza janë më të dendura dhe mund të shfaqin efekte ekstreme të relativitetit të përgjithshëm, por pulsarët janë më të thjeshtë për t’u observuar falë dritës së tyre flikëruese dhe sinjaleve radio.

Në studimin e tyre astronomët shënjestruan një çift unik pulsarësh binarë, 2,4000 vite dritë larg, në konstelacionin Puppis.

Një prej tyre rrotullohej rreth vetes  44 herë në sekondë kurse tjetri më ngadalë, me rotullim të plotë rreth aksit të vet çdo 2.8 sekonda.

Prej vitit 2003 deri në 2019, shtatë radio teleskopë kanë vërejtur sistemin e dyfishtë pulsar duke llogaritur faktorë si valët gravitacionale, shpërndarjen e dritës, vonesën e kohës dhe ekuivalencën  masë-energji (E=mc2).

“Ne duhet të gjejmë mënyra të testimit të teorisë së Einstein, dhe për fat laboratori kozmik i njohur si ‘pulsar i dyfishtë’ u zbulua me teleskopët Parkes në 2003. Observimet tona të 16 viteve rezultuan mrekullisht në përputhje me teorinë e përgjithshme të relativitetit të Einstein,” tha Dr. Dick Manchester, bashkë-studiues CSIRO.

“Ne do të rikthehemi në të ardhmen me radio-teleskopë të rinj për të gjetur dobësi në teorinë e relativitetit, dhe ndoshta kjo do të çojë në një teori më të mirë gravitacionale,” tha Adam Deller, profesor i Swinburne University dhe i qendrës ARC për Valët gravitacionale(OzGrav). / ZMEScience/ Pergatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/3
Teoria e relativitetit e Albert Einstein rezultoi sërish një kockë e fortë për t’u thyer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA