Të dhënat personale nuk janë më personale!

Numri i kartës së identitetit dhe të ardhurat e shtetasve shqiptarë dhe shumë shtetasve te huaj që punojnë në Shqipëri, gjenden në dorën e kujtdo,  përfshi keqbërës qe jo vetëm mund t’i aksesojnë, por njëherazi mund t’i përdorin ato për ngjarje kriminale.

Pas shpërndarjes së listës prej mëse 630 mijë emrave të qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe shtetëror ku nuk përjashtohen edhe pagat e inspektorëve të shërbimit informativ, të ushtrisë, policisë dhe agjentëve të saj, prokuroria deklaron se ka nisur verifikimet për dyshimet e përhapjes së sekretit vetjak në bashkëpunim.

Kjo listë u shpërnda përmes WhatsApp  dhe aktualisht është bërë virale, ndërkohë që ende nuk ka persona të dyshuar, se kush mund të jetë burimi i tyre dhe prej nga janë shpërndarë ato.

Prokuroria deklaron për Top Channel se është ende në faze verifikimi dhe nuk mundet të përcaktojë nëse rrjedhja e këtyre të dhënave ka ndodhur nga e-albania. Më herët, një databazë i përpunuar më të dhënat personale të shtetasve shqiptare u aksesua  gjatë zgjedhjeve. Për këtë dosje të pagëzuar si “Patronazhistët”, SPAK  nuk konkludoi nëse ky proces kishte lidhje apo jo me korrupsionin në zgjedhje, por e delegoi hetimin pranë prokurorisë së kryeqytetit, e cila ende vijon ta ketë nën proces hetimor.

Top Channel