Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht shtetasin Fatjon Dauti si personin që ndërmorri akte dhune në selinë e Partisë Demokratike.

Në një njoftim për mediat, PD thekson se pas analizës së pamjeve filmike rezulton se i urdhëruar nga deputeti Flamur Noka, shtetasi Fatjon Dauti, preson me precedent të rëndë kriminal, që shoqëronte Sali Berishën ka dhunuar ambientet e selisë qendrore të PD-së.

Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe, shtetasi Fatjon Dauti është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave.

Një ditë pas protestës së organizuar në Tiranë kundër “Open Balkan” dhe vizitës së Presidentit serb Vuçiç në Shqipëri, grupi i rithemelimit të PD-së, ka mbërritur këtë të martë në selinë blu për të zhvilluar mbledhjen e radhës.

28 anëtarëve të komisionit të rithemelimit të PD-së i printe ish-lideri i kësaj partie, Sali Berisha.

Në selinë blu u zhvilluan dy mbledhje paralele, ku me herët Lulzim Basha kishte mbledhur anëtarët e grupit parlamentar në një nga sallat e selisë, apo siç njihet ndryshe nga gazetarët si salla e grupit.

Po ashtu, ish-kryeministri Berisha në momentin që është futur në mjediset e brendshme të selisë së partisë, dyert e sallave i ka gjetur të mbyllura, ndërsa mbështetësit e tij janë detyruar t’i hapin ato me forcë.

Berisha dhe mbështetësit e tij u vendosën tek salla e konferencave për të vijuar mbledhjen me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së.

Kjo është hera e tretë që grupi i rithemelimit të PD-së shkon në selinë blu.

Dy ditë pas Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetori, Sali Berisha shkoi në seli ku zhvilloi mbledhjen e parë me 28 anëtarët e komisionit.

Incidentet nuk munguan mes grupit të Berishës dhe Bashës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel