Angli, maj 1536. Tomas Kromuelli, Lord i Vulës Private, është dëshmitar ndërsa i presin kokën Ana Bolenës, mbretëreshës tradhtare. Pas ekzekutimit, shtrohet në banket me mbretin, duke reflektuar për karrierën e tij në ngjitje. Kohët janë të vështira: kontetë e Veriut ngrihen në revoltë, duke kundërshtuar prishjen e manastireve dhe taksat e reja, të vendosura nga Kurora. Rendi rivendoset për hir të vendosmërisë, mprehtësisë dhe këmbënguljes së Kromuellit, dhe Henri VIII e shpërblen duke e bërë kalorës të Urdhrit të Zhartjerës. Mbreti është i lumtur, megjithëse fillon të ndiejë peshën e viteve.

Gruaja e tij e re është e kundërta e së mëparshmes. Për më tepër, ajo arrin t’i japë trashëgimtarin e lakmuar. Edhe familja Kromuell ka kënaqësitë e veta: Gregori, djali i madh, martohet me motrën e mbretëreshës dhe Lordi i Vulës zbulon se ka një vajzë. Por gëzimet nuk zgjasin. Xhejn Sejmuri, mbretëresha e re, vdes pak pas lindjes së trashëgimtarit dhe mbreti, edhe pse zemërthyer, ka nevojë për një nuse tjetër. Kromuelli i futet punës: por armiqtë tashmë e ruajnë dhe ylli i tij nis të bjerë…

Romani, i shkruar në pjesën më të madhe në kohën e tashme, në formën e një dialogu midis Kromuellit dhe personazheve të tjera, ka përshkrime poetike të mrekullueshme dhe një pasuri të jashtëzakonshme leksikore, për sjelljen e të cilës në shqip do t’i jemi mirënjohës përkthyesit Korab Hoxha. Të paharrueshme janë faqet e fundit ku Tomas Kromuelli, i mbyllur në Kullën e Londrës, takon akuzuesit dhe disa nga bashkëpunëtorët, dikur të zgjedhurit dhe të mbrojturit e tij, që kanë vendosur ta tradhtojnë.

“Njerëzit nuk duan të jetojnë me detyrime”, mendon Kromuelli. “Preferojnë të shesin miqtë… sepse favoret që nuk mund të shpaguhen, të hanë shpirtin.”Vëllimi i fundit i trilogjisë për Tomas Kromuellin, “Pasqyra dhe drita”,fokusohet në katër vitet e fundit të jetës së Kromuellit, gjithnjë e më i fuqishëm, pas prerjes së kokës së Ana Bolenës, por vazhdimisht në mëshirën e pasigurisë.
Të jesh njeri i Mbretit do të thotë të fluturosh çdo moment pranë diellit, i ndritshëm dhe përvëlues, me rrezikun e djegies.Zonja Histori na mëson se këto vite do të shënojnë rënien e Kromuellit, deri në ekzekutimin e tij në korrik 1540. Por ndoshta bukuria e trilogjisë “Salla e ujqërve” është pikërisht këtu.Alessandro Barbero është shprehur se Kromuelli “është një shembull i lëvizshmërisë sociale” në Anglinë e shekullit të 16-të. Ngritja e tij bazohet në aftësitë burokratike që ai i vë me mjeshtëri në shërbim të shtetit, duke mbërritur (nga djalë i një farkëtari) t’i shërbejë vetë Henrit VIII-të.
Por, siç na mësojnë shumë ngjarje historike, një pushteti madh mbart gjithmonë me vete një anë tjetër të medaljes, me armiq politikë dhe kundërshtarë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të të rrëmyer atë që tani është jotja.

Pak fjalë për autoren
Hilary Mantel ka lindur në Glossop, Derbyshire, në vitin 1952. Debutimin e parë letrar e ka bërë në vitin 1985 me Every Day is Mother’s Day. Shumë nga romanet e saj kanë qenë finaliste në çmime të mëdha letrare, sidomos në Orange Prize. Jeton në Angli.
Hilary Mantel konsiderohet një nga shkrimtaret më të talentuara, më të vlerësuara dhe më të njohura të Britanisë së Madhe. Është autore e pesëmbëdhjetë librave. Salla e ujqërve dhe Ana Bolena, një çështje familjare janë vlerësuar të dy me Çmimin Man Booker. Librat janë botuar në shqip nga ‘Dituria’. Libri i tretë i trilogjisë, ‘Pasqyra dhe Drita’, u botua në vitin 2020. Tashmë libri është përkthyer në 27 gjuhë, përfshirë edhe shqipen.

Të dhëna për librin
Titulli: Pasqyra dhe drita
Autor: Hilary Mantel
Përktheu: Korab Hoxha
Numri i faqeve: 924

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA