Pas raporteve të para në Afrikën e Jugut, rreth një muaj më pas varianti Omicron i koronavirusit është tashmë i pranishëm në të paktën 70 vende dhe vazhdon të përhapet me ritme të shpejta, duke infektuar mijëra persona.
Ky variant po kontribuon për një valë të re infektimesh në Evropë, veçanërisht në Britaninë e Madhe dhe Danimarkë.
Vetëm në pak javë, Omicron ka ndryshuar ndjeshëm trendin e pandemisë dhe për rrjedhojë mund të ndikojë në strategjitë e ndjekura deri më tani nga qeveritë e vendeve të ndryshme, të cilat ishin mbështetur shumë te vaksinat me qëllimin për të shmangur kthimin e masave kufizuese.
Gjatë fundjavës, Holanda hyri në një bllokim të ri, ndërsa disa qeveri të tjera kanë vendosur për forma të tjera mbylljeje dhe kufizimesh, por edhe po analizojnë qasjen për të ngadalësuar shpejtësinë e përhapjes së Omicron.
Pas një vale të variantit Delta në stinën e verës, një vale e re infektimesh me variantin Omicron në stinën e dimrit mund të krijojë pasoja të rënda sidomos për sistemet shëndetësore.
Skenarët më pesimistë flasin për një mbingarkesë të mundshme në njësitë e kujdesit intensiv dhe në të gjitha aktivitetet e tjera spitalore, të krahasueshme me ato të muajve të parë të vitit 2020.
Rreziqet që sjell varianti i ri janë në vetvete më të larta, por mund të zbuten pjesërisht për shkak të vaksinimit, të cilat mungonin në fazat e hershme të pandemisë.
Shkencëtarët kanë theksuar se Omicron mund të jetë varianti më përhapjen më të shpejtë deri më sot, krahasuar më variantet e tjera të mëparshme që u shfaqen gjatë dy viteve të pandemisë. Shifrat e infektimeve ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, por dallimet nuk janë aq të mëdha.
Top Channel