Ligji i ri i bashkëqeverisjes/ Rama: 95% e shërbimeve online. Hë për hë nuk martohesh dot online, por edhe këtu mund të arrihet me teknologji

18/12/2021 16:19

Bashkëqeverisja, si një mekanizëm ligjor në duart e qytetarëve, është fokusi i një cikli takimesh sensibilizuese që Kryeministri Rama e vijoi këtë të shtunë në qytetin e Vlorës. Tashmë, jo vetëm si platformë, por edhe si ligj, bashkëqeverisja çliron plotësisht qytetarin nga barrierat abuzive në marrëdhënien me administratën dhe vendos para përgjegjësisë nëpunësit, shpërdorues të detyrës.

Kryeministri Rama theksoi se mekanizmi i ri ligjor është një inovacion që çon në një nivel tjetër të marrëdhënieve të qytetarit me shtetin dhe se përdorimi i shërbimeve dixhitale publike gjerësisht nga njerëzit do të zerojë ndërveprimin korruptiv me administratën.

Rama: Sot, duke investuar gjithë këto vite dhe duke u angazhuar për të bërë një revolucion digjital në këtë vend, ne kemi arritur që të kemi në dispozicion të njerëzve një mekanizëm të marrjes së shërbimeve pa dalë fare nga shtëpia, pa lëvizur fare nga zyra, duke përdorur smartphone ose kompjuterin për 95% të shërbimeve që japin sot sportelet dhe zyrat e shtetit, ku vetëm 5% e tyre e kanë sidoqoftë, të nevojshme praninë fizike, sepse nuk mund të marrësh dot të plotë, online shërbimin e pajisjes me kartë identiteti apo pasaportë pasi duhet të shkosh për të dhënë gjurmët e gishtërinjve dhe këtë nuk e bën dot online.

Nuk mund të martohesh dot online se duhet të shkosh atje bashkë me gjysmën tjetër edhe me dëshmitarë dhe nuk mund t’i sjellësh dot dëshmitarët online, hë për hë, se me ç’po na shohin sytë, edhe këtu mund të arrihet me revolucionin e teknologjisë.

Është e vërtetë. Tani ka filluar të flitet që çdo njeri fizik do ketë avatarin e vet që do punojë për të, do martohet për të e ku di unë, por kjo është temë tjetër.

Ajo që na intereson ne sot është që 95% e shërbimeve, të të gjitha llojeve për të gjitha shtresat janë në dispozicion në xhepin e qytetarëve; mjafton të nxjerrësh smartphone nga xhepi, të hysh në platformën E-Albania, të bësh aplikimin dhe ti nuk ke nevojë të shkosh në asnjë zyrë.

Elementi tjetër është që shërbimet me dokumenta janë shërbime që jepen me një aplikim ku zakonisht kërkohen dokumenta të tjerë.Pra, shkon të marrësh një licensë apo një autorizim, të kërkojnë dëshminë e penalitetit, të kërkojnë dëshmira të tjera, vërtetime të tjera, e kështu me radhë e të gjitha këto janë ecejake, duhet të shkosh në 3, 4, 5 ka raste 12, 13 zyra të tjera që të mbledhësh gjithë letrat e pastaj të shkosh të bësh aplikimin. Kjo mbaron. Të gjitha këto dokumente të tjera nuk ka nevojë t’i mbledhësh më ti. Ti vetëm aplikon me emrin dhe me atë kodin tënd identifikues në platformë dhe të gjithë ata që sot e 39 e 40 e 100 vjet janë nëpër sportele dhe nuk do të jenë më në sportel, do të jenë përpara kompjuterit, që të mbledhin për ty, përmes kompjuterit, të gjithë këto dokumente të tjera dhe ajo që ti merr në këmbim është thjesht shërbimi.

50 shërbime sot janë me cikël të plotë e janë nga shërbimet më esenciale që  janë shumë të përdorur nga qytetarët. Për shembull, një nga shërbimet që ka marrë kohë pafund për njerëzit për gjithë këto vite është marrja e dëshmisë së penalitetit, që duhet rregullisht për shumë e shumë ndërveprime të tjera. Sot dëshmia e penalitetit, e cila deri dje merrej duke shkuar dy herë në mos tre apo katër ku ai që ishte në sportel ishte i sëmurë apo bënte si i sëmurë, merret direkt nga telefoni. Edhe aplikimi, edhe dëshmia, me vulë elektronike, me nënshkrim elektronik, nuk ka nevojë më fare as të lëvizësh fare nga vendi.

Rillogaritja e pensionit, është një problem i madh për shumë e shumë pensionistë. Parafytyroni që platforma ka bërë 7000 rillogaritje pensionesh. Kanë përfituar 7000 pensionistë, ndërkohë që mijëra e mijëra të tjerë vazhdojnë ende gjyqeve sepse nuk përdorin platformën dhe nga ana tjetër, marrëdhënia normale e pensionistit me institutin e sigurimeve shoqërore sot është e gjitha online. Nuk ka nevojë fare të shkosh sot në zyrat e sigurimeve shoqërore, për asgjë.

Të gjitha këto ne duam t’i përsërisim që njerëzit t’i përdorin,por edhe për një arsye tjetër, sepse ne duam t’i mbyllim sportelet. Duam që të mos ketë më sportele në mënyrë që të mos ketë më ndërveprime korruptive, ndërveprime stresuese, ndërveprime që nuk mbarojnë kurrë edhe nga indiferenca, ndërveprime që kthehen në torturë edhe nga sjelljet e këqija ndonjëherë dhe të gjithë ata që janë në sportel, nga njerëz që janë bërë të bezdisshëm për qytetarët, nuk janë të gjithë njësoj, por mjafton një i keq që edhe pesë të mirë të duken të këqij, të kthehen nga kompjuteri e t’i shërbejnë qytetarëve, të cilët nuk kanë më nevojë as të njohin, as të shohin, as të takojnë, por kanë nevojë vetëm të përdorin telefonin apo kompjuterin.

Kjo do të bëjë që niveli shumë shqetësues i stresit dhe i ryshfetit, të zerohet faktikisht. Të zerohet menjëherë, si me magji, por që kjo nuk  është magji, është një punë e bërë në shumë vite dhe është avantazhi që teknologjia e re i jep vendeve si vendi ynë. Nëse do të ishim 10 vjet përpara, do ta kishim të pamundur të bënim këtë kapërcim sepse ato administrata që ne shikojmë kur dalim jashtë shtetit janë administrata që janë ndërtuar kur ne nuk kishim shtet fare dhe shumë më tepër vite përpara, shekuj përpara ndonjëherë se sa 1912, kur këtu në Vlorë u shpall pavarësia dhe filloi krijimi i shtetit shqiptar, që të mos themi pastaj dhe që tradita jonë e administratës nuk ka qenë kurrë një traditë e ndërtuar mbi funksionalitetin demokratik të institucioneve e të tjera e të tjera. Kështu që, ndryshimi i gjithë mendësisë dhe i gjithë procesit të brendshëm të funksionimit të administratës kërkon dekada, edhe shekujt. E ne do të na duheshin dekada të tjera për të cilat asnjë shqiptar nuk ka nerva të presi, po të mos kishim teknologjinë. Teknologjia na jep mundësinë që të bëjmë një kapërcim shumë të madh, në pak vite, të kalojmë në një shekull tjetër dhe faktikisht ne sot e kemi këtë mekanizëm e faktikisht sot çdo qytetar e ka këtë mekanizëm.

Arsyeja e këtij promovimi të vazhdueshëm në këtë seri takimesh është që sa më shumë qytetarë të informohen dhe fatmirësisht në fatkeqësinë e pandemisë, të gjithëve u është dhënë mundësia që të shikojnë që ky sistem funksionon, pasi falë këtij sistemi, ne mundëm që ta realizojmë me sukses përballjen e parë kur virusi ishte në agresionin e vetë më të madh e na u desh të bënim karantinë të përgjithshme, e të gjithë shfrytëzuan e-albania për të marrë autorizimet e për të dalë. Parafytyroni sikur të mos ishte ai mekanizëm, çfarë do bënim ne? Do duhej autorizim për të dalë e për të marrë autorizimin për të dalë do dilje, të shkoje në radhë të merrje autorizim? Do me thënë do ishte një hata e paimagjinueshme dhe faktikisht do ishim zhytur thellë në humnerën e numrave të infektimit e do na ishin hedhur në erë gjithë spitalet dhe duke pas përdorur e-albania në atë moment emergjence, të gjithë e dinë që kjo funksionon. Shumëkush mendon që kjo nuk funksionon për gjërat e tjera por unë po ju them që kjo funksionon. Mund të mos jetë perfekt, e mund të ketë raste disfunksionimi, por janë super minimale nga njëra anë e nga ana tjetër, platforma është ana tjetër e medaljes. Pra ti aplikon online. Duke aplikuar online, ti e kryen procesin pa dalë nga shtëpia fare. Nuk ka nevojë të mbash radhë e në afatin e caktuar ti duhet të marrësh shërbimin.

Në rast se ty nuk të vjen shërbimi në afat, ti menjëherë i drejtohesh platformës e platforma bën pastaj pjesën e vetë për të të garantuar ty marrjen e shërbimit por ndërkohë sistemi vetë i shërbimeve, tani që flasim, ka një element të ri, që është leximi automatik, kompjuterik i të gjitha afateve të shkelura dhe nxjerra në ekran me të kuqe e të gjitha atyre aplikimeve që nuk kanë marrë përgjigje në afat e duke i bashkuar të dyja këto, ankesën e qytetarit nga njëra anë dhe këtë pasqyrë nga ana tjetër, ne mund ta përmirësojmë me një shpejtësi të rrufeshme performancën e administratës dhe këtu kontributi i qytetarit është kyç.

Po vazhdojmë investimet sepse duam që të gjitha shërbimet, jo vetëm 50,  por të gjitha shërbimet t’i mbyllim në cikël, që do të thotë edhe hipoteka për të cilën sot nuk kemi nevojë për sportel e do t’i mbyllim sportelet e hipotekave në vitin 2022. Nuk do ketë më sportele hipotekash, nuk do shkojë më dot njeri në hipotekë për të kërkuar për të bërë aplikime, por sot, ti mund të aplikosh por nuk e merr në telefon, nuk e merr në kompjuter hipotekën apo titullin e pronësisë, por duhet ta marrësh me postë, për një numër shumë të madh. Është një pjesë e vogël sot që mund ta marri, por për këtë arsye kemi angazhuar një fond të veçantë, do të fusim në punë qindra njerëz, të cilët do të merren vetëm me dixhitalizimin e të gjithë titujve të pronësisë që ka filluar të bëhet prej vitesh por është një pafundësi dhe në harkun e dy viteve, është objektivi që ne ta nxjerrim hipotekën nga telefoni. Ajo do jetë fundi i një tmerri pa fund për kaq shumë njerëz e për kaq shumë familje, ndërkohë që dixhitalizimi do të bëhet me një sistem ultramodern nga pikëpamja teknologjike, blockchain, ku do të jetë e pamundur që të ndërhyhet për ndryshime siç bëhet sot, ndryshoi letrat njëri-tjetrit dhe çdo ndërhyrje në sistem do të jetë e gjurmueshme. Pra, gjithsekush që do të hyjë në sistem për shërbyer, do të lëri gjurmë e do të lëri firmën elektronike, kështu që çdo ngacmim i sistemit, menjëherë do të shfaqet, sistemi do të jetë komplet i blinduar.

Kjo është pak a shumë pasqyra e aktualitetit të shërbimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA