“Një situatë jing-jeng”/ Ekspertja e komunikimit, Marian Salzman parashikon trendet e 2022-shit

17/12/2021 12:38

Guru-ja e komunikimit, identifikuesja e trendeve të jetesës dhe zëvendës Presidentja e Komunikimit Global në Philip Morris International, Marian Salzman, ishte e ftuar tek “Wake Up” për të folur për parashikimet në lidhje me trendet sociale të vitit 2022.

Ajo u ndal tek trendet e jetesës për vitin e ri që po vjen, duke argumentuar edhe mbi ndikimin që ka patur viti që po lëmë pas, veçanërisht kur është fjala për perceptimin që kemi mbi shkencën.

“Mendoj se kemi një situatë jing-jengu. Nga njëra anë, duam që shkenca të zgjidhë çdo gjë. Nga ana tjetër, në rastin më të mire, kemi frikë prej saj. Në rastin më të keq, ia heqim vizën shkencës, duke e quajtur false” u shpreh Salzman gjatë intervistës me Isli Islamin dhe Ori Nebiajn.

Guru-ja e komunikimit kujton rolin e rëndësishëm që ka patur shkenca tek lehtësimi i kohës së vështirë të pandemisë. Kjo vetëm, duhet të na shërbejë për të patur besim tek ajo.

“Mendoj se nëse beson tek shkenca, është shumë më mirë, sepse ka qenë shkenca ajo që deri më tani na ka ndihmuar ta kontrollojmë pandeminë, gjë që na ka ndihmuar që të fitojmë kontroll mbi ekonominë e na ka ndihmuar të rikthejmë udhëtimet në të gjithë botën. Por, duhet të jetë shkencë e validuar. Duhet të jetë shkencë e cila mund të provohet nga komisione akademike, nga shkencëtarë dhe nga institucione të shtetit.”

Gjatë intervistës së saj për “Wake Up”, Marian Salzman shpjegoi se viti i kaluar ishte akoma më kaotik sesa mund ta kishte parashikuar.

“Fatkeqësisht, e parashikova se do të vinte, edhe pse nuk besoj se e parashikova vaksinën të vinte kaq shpejt dhe nuk besoj se e parashikova se njerëzit do ta refuzonin vaksinën. E dija me siguri se do të ishte një vit kaotik, megjithatë më duhet të them se kaosi që shkaktuan vetë njerëzit ishte i papritur për mua.”

Një prej çështjeve që diskuton Salzman kur vjen fjala për trendet e 2022-shit, është edhe pabarazia.

“Pandemia i ka bërë njerëzit shumë të vetmuar, i ka bërë shumë të inatosur. I ka bërë të vënë re gjithë pabarazitë që ekzistojnë. Disave iu desh të punonin në vijë të parë, ndërsa të tjerë mundën edhe ta çonin punën në shtëpi. Ka përforcuar faktin se kujdesi shëndetësor është e drejtë e njeriut, porse jo të gjithë kanë akses tek kujdesi më i mirë shëndetësor. Gjithashtu ka vënë në pah tensionet mes brezave, duke patur të moshuarit nga njëra anë, njerëzit në mesomoshë nga ana tjetër, të rinjtë nga njëra anë dhe adoleshentët dhe fëmijët nga ana tjetër…Pra mendoj se në këtëçast ka shumë tension mes brezave.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA