Viti i Ri do t’i gjejë disa familje që tërmeti i 26 nëntorit i la pa shtëpi, në banesat e reja të lagjes “5 Maji”.
Pallatet e para, të ndërtuara nga arkitekti i njohur Stefano Boeri do të jenë gati brenda pak ditësh, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Familjet që ende nuk kanë nënshkruar kontratën me bashkinë e Tiranës, Veliaj i ftoi të firmosin që të marrin apartamentin e ri nga Programi i Rindërtimit.
Kryebashkiaku deklaroi se lagjja e “5 Majit” është shndërruar në një prej arterieve kryesore lidhëse të dy prej zonave më të mëdha ekonomike.
“Ne duam ta kthejmë “5 Majin” në një shëtitore, duam të investojmë edhe me trotuare, me pastrimin anash – sigurisht aktiviteti tregtar do të vijojë, por ama të ketë një qarkullim, i cili e kthen këtë nga një xhep të vdekur, rrugë pa krye, në një arterie ekonomike për Tiranën, që lidh dy qendrat ndoshta nga më të fortat ekonomike të vendit, që është Tirana dhe Kamza. 50% e ekonomisë së vendit janë këto dy bashki dhe për herë të parë po i lidhim në mënyrë organike dhe jo me ato urat e improvizuara, siç kemi në Babrru, apo në Kodër Kamëz”.
Bashkia e Tiranës do të marrë përsipër administrimin e pallateve, derisa banorët të kenë mundësi të organizohen si komunitet për të zgjedhur administratorin e tyre.
“Do ishte e pafalshme që ne të fillojmë historitë e vjetra të pallateve që lamë, ku secili improvizon, secili fillon e hollon kollonën kryesore, apo çan murin për të bërë një improvizim. Nuk do i lejojmë këto, sepse administrimi i mirë mban vlerën e pronës gjithmonë të lartë. Administrimi i keq apo i munguar e degradon të gjithën”.
Top Channel