U prish për shkak të motit të keq, rivendoset në funksionim bova e ujërave të lira në hyrje të kanalit të portit të Durrësit

16/12/2021 19:36

Shërbimi hidrografik i Forcës sonë Detare ka rivendosur në funksionim bovën e ujërave të lira në hyrje të kanalit të portit detar të Durrësit.

Për shkak të motit të keq, në fund të muajit nëntor, qenë shkëputur dy bova, ajo kardinale perëndimore e cekinës së Seladës (në veri-lindje të Kepit të Selitës), si dhe bova e ujrave të lira e njohur ndryshe si bova e pilotit në hyrje të kanalit të portit Durrës.

Shërbimi hidrografik pati njoftuar detarët për këtë situatë dhe se po punohet për kthimin e tyre. Rivendosja e bovës në hyrje të kanalit të portit u bë ditën e sotme duke përmbushur një nevojë për hyrje-daljet e anijeve nga ky port.

Bovat janë pjesë e rëndësishme e sinjalistikës detare që mundëson një lundrim të sigurtë dhe parandalon pasojat e rënda, të cilat mund të çojnë deri në humbjen e jetës dhe pronës në det.

Kjo sinjalistikë merr rëndësi edhe më të madhe në zonat e rrezikut, siç janë cekinat.

Top Channel