Arben Manaj në Top Talk: Shqipëria qeveriset nga ambasadorët. Klasë politike e paaftë

15/12/2021 17:16

Korrespondenti i Top Channel në Londër Arben Manaj, komentoi sot në Top Talk situatën politikë në Tiranë.

Manaj tha se i duket e tepërt, sipas tij, ndërhyrja brutale  e ambasadorëve në çështjet e politikës së brendshme të Shqipërisë në një kohë që kemi 30 vite demokraci

“Diplomacia në Tiranë ka thyer parakushtet e konventës së Vienës të 1961. Unë jam i mendimit që diplomatët e huaj në Tiranë do të duhej të kenë pak më shumë respekt për shqiptarët në përgjithësi . Nëse para 30 vitesh do ishte mëse normale që ndërkombëtarët të na merrnin për dore , sot 30 vite më pas më duket e panevojshme, padyshim që politika shqiptare është ajo që ua ka mundësuar këtë, por mos të harrojmë që diplomatët e  huaj vijnë nga vende me standarde shumë më larta politike , diplomatike dhe nuk u lejohet atyre të hyjnë në nivele të tilla komunikimi.

Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit , por ne fund të fundit zotër në shtëpinë tonë s’kanë pse bëhen . Diplomatët e huaj në Shqipëri kalojnë në një lloj deliri të pajustifikueshëm , ndoshta këta në shtëpinë e tyre janë njerëz që nuk i njeh askush”, tha ai.

Top Channel