Shkencëtarët evropianë kanë njoftuar se kanë vërtetuar për herë të parë se koronavirusi sulmon sistemin e reagimit ndaj stresit të njeriut duke dobësuar reagimin e gjëndrës mbiveshkore ndaj COVID-19.
Hulumtimet kanë treguar se koronavirusi sulmon gjëndrat mbiveshkore, duke dobësuar kështu aftësinë e trupit për të prodhuar hormonet e stresit kortizol dhe adrenalinë, të cilat nevojiten për të luftuar infeksionin e rëndë. Pjesë e sistemit mbrojtës të trupit, këto gjëndra janë të nevojshme për të mbijetuar në situata stresuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për infeksionin me koronavirus.
Hulumtimi u botua në nëntor në revistën “Lancet Diabetes and Endocrinology” nga një grup shkencëtarësh nga Londra, Regensburgu, Cyrihu dhe Drezden.
“Rezultatet e hulumtimit tonë të fundit tregojnë tani për herë të parë se virusi ndikon ndjeshëm në sistemin e reagimit ndaj stresit njerëzor,” tha Stefan Bornstein, drejtor i Qendrës për Mjekësinë e Brendshme në Spitalin Universitar në Drezden.
“Nuk dihet ende nëse këto ndryshime kontribuojnë drejtpërdrejt në pamjaftueshmërinë e veshkave ose në COVID afatgjatë”, tha ai duke shtuar se kjo duhet të hetohet. Duke kujtuar se studimet e fundit tregojnë se marrja e steroideve parandalon përkeqësimin e sëmundjes te pacientët me COVID-19, shkencëtarët besojnë se disa ilaçe mund të ndihmojnë në zbutjen e efekteve të koronavirusit.
“Kjo dëshmi nxjerr në pah rolin potencialisht të rëndësishëm të steroideve mbiveshkore në luftën kundër COVID-19”, thanë shkencëtarët nga Universiteti i Cyrihut. Studiuesit analizuan të dhënat e mbledhura nga 40 pacientë në Drezden, të cilët vdiqën nga COVID-19 dhe zbuluan se analiza patohistologjike e mostrave të indeve tregoi shenja të qarta të inflamacionit të veshkave.
Top Channel