Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës problematikën e përmbytjeve në qytetin e Durrësit. Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën disa foto dhe video, të shëtitores “Taulantia” në Durrës, të cilat si pasojë e dallgëve të mëdha të detit dhe shirave, janë përmbytur.

Shëtitorja është bërë pjesë-pjesë, ku fillimisht u vendos një pjesë me beton dhe dru. Më pas “Sfinksi” dhe “Mozaiku i Sfinksit” 3 vite më parë, ndërkohë që prej 1 viti ka përfunduar edhe ndërtimi i shëtitores “Taulantia”. Në pamjet e mbërritura në redaksi duket që i gjithë projekti ka filluar të shkatërrohet. Gurët e mozaikut, të ndërtuar pranë “Sfinksit”, kanë dalë vendit, ndërsa një pjesë e sipërfaqes me beton po e merr lumi.

Disa banorë tregojnë se projekti me dërrasa është bërë disa vite më parë. “Dikur ka qenë i bukur, tani po shkatërrohet” thotë një i moshuar, ndërkohë një tjetër pohon se “duan të marrin ndonjë lekë”. Ndërkohë, nga vëzhgimi i “Fiks Fare” rezulton se deti ka shkatërruar pjesën e drunjtë, madje edhe kolonat e hekurit. Gjithashtu, edhe pjesa me beton ka filluar të çahet dhe një pjesë e ka marrë deti.

Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan me z.Artan Kacani, arkitekt urban. Ai tregon se të gjitha dëmtimet e projektit afër “Sfinksit” kanë ardhur si pasojë e disa tubacioneve me ujëra të zeza. Ndërkohë tregon edhe pjesën e dëmtuar, duke pohuar se gjithçka është bërë pa plan dhe pjesë-pjesë. Nga vëzhgimi rezulton se pllaka të mëdha janë të shkulura, teksa deti ka “ngrënë” edhe pjesët metalike. “Nuk ka barriera mbrojtëse nga deti. Dallgët përplaset me pjesën e betontë dhe ngrihen në lartësi të madhe, duke e çuar ujin e detit brenda lagjeve” thotë ai, duke shtuar se “me këto ritme, deti do të marrë edhe pjesën tjetër”.

Ndërkohë, në jug të “Sfinksit” prej një viti ka përfunduar ndërtimi i sheshit “Taulantia”. Por, me shirat më të vegjël, një pjesë e kësaj pedonaleje dhe sheshi mbushet me ujë, madje zona kthehet në një liqen artificial. Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, në mes të vitit 2018 Bashkia e Durrësit ka shpallur tenderin me objekt projektim i sheshit “Taulantia”, me fond prej 6,6 milionë lekë. Ndërkohë, në fund të atij viti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën “Rikonstruksion i sheshit ‘Taulantia’, Bashkia Durrës” me fond prej 362 milionë lekësh. Në muajin mars 2019 është shpallur edhe fituesi, i cili ka ofruar 284 milionë lekë. Sipas dokumenteve, oferta nuk ka qenë më e ulët, por të tjerat janë s’kualifikuar. Afati i kryerjes së punimeve ka qenë 18 muaj. Projekti është inauguruar në dhjetor 2020 dhe prej 1 viti ka qenë funksional. Por, pa mbushur ende 1 vjetorin, projekti ka filluar të degradojë.

“Sa herë bie shi, e gjithë kjo zonë mbushet me ujë, kthehet në një liqen të vogël. Kanë bërë disa rrjeta për ikjen e ujit, por ata nuk shërbejnë për asgjë” thotë z.Kacani, arkitekt urban. Më tej pohon se ndërtimet janë bërë kuturu, ndërsa duhet të kishte edhe një investim më të mirë.

Pak më në lindje të sheshit “Taulantia” është rruga me të njëjtin emër. Edhe ky një projekt i kohëve të fundit, por sërish sa herë bie shi, rruga mbushet plot me ujë. “Uji këtu shkon në gjysmë metri. Prishen makinat dhe banorët izolohen. Sa herë bie shi, rruga mbushet me ujë” thotë Artan Kacani, pedagog.

Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan edhe me brigadierin e Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë e Durrësit, Flamur Salikaj. Ai thotë se ndërmarrja e tij e ka shumë të vështirë që të heqë mbetjet që sjell deti, papastërtitë. Tregon se e gjithë zona mbushet me ujë sa herë ka dallgë dhe investimet e kohëve të fundit vetëm e kanë rënduar situatën. “Investimet na e kanë vështirësuar punën. Shumë, shumë keq. E gjithë zona mbushet me leshterik dhe me rërë. Kemi 10 ditë që punojmë dhe s’e kemi hequr akoma. E gjithë pedonalja po prishet dhe këtë të renë do e marrë deti. Duhet të kishte prita ujore” përfundon brigadieri.

FOTO GALERI
8/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA