Emigrantët sollën 541 mln euro/ Rritje në vitin 2021, deri në nëntor erdhën 71 mln euro më shumë

13/12/2021 19:29

Të ardhurat nga emigrantët kanë shënuar një rritje të konsiderueshme përgjatë vitit 2021. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, remitancat apo dërgesat që sjellin emigrantët te të afërmit e tyre në Shqipëri kanë arritur në fund të nëntëmujorit në 541 milionë euro.

Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur shumë vende europiane ku jetojnë e punojnë emigrantët shqiptarë kishin aplikuar masa të rrepta për menaxhimin e situatës së pandemisë, flukset hyrëse nga emigrantët kanë parë një rritje me gati 71 milionë euro më shumë.

Sipas statistikave, vetëm në tremujorin e të tretë prurjet valutore të emigrantëve përllogariten në 200 milionë euro, me rritje gati 1% në raport me tremujorin e vitit 2021.

Referuar bankës qendrore, përgjatë kësaj periudhe është vërejtur një rënie e lehtë e përdorimit të kanaleve formale për dërgesat nga emigrantët përmes sistemit bankar e rrugëve të tjera zyrtare, teksa janë rritur dërgesat në cash si pasojë e lëvizjes së emigrantëve me zbutjen e masave kufizuese.

Që prej vitit 2015 e deri në vitin 2019 para krizës së pandemisë niveli i remitancave ka parë një rritje të vazhdueshme duke reflektuar edhe emigracionin masiv të shqiptarëve përtej kufijve.

Në vitin 2020 dërgesat e emigrantëve pësuan një rënie dhe totali i tyre arriti në 637 milionë euro si pasojë e pandemisë covid-19, një dukuri e pritshme pakësimi i tyre i lajmëruar si nga autoritetet vendase ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore në raportet e saj për Shqipërinë.

Por, pas tkurrjes një vit më parë duket se me lehtësimin e masave nga vendet e huaja të ardhurat nga emigrantët vijuan sërish një trend në rritje ku me gjasa deri në fund të viti pritet të arrijnë nivelet e parakrizës.

Top Channel