Moti i keq në Lushnjë/ Lumi Seman përmbyt tokat bujqësore, nuk ka rrezik për banesat

12/12/2021 16:10

Në rrethinat e Lushnjës, situata e prurjeve në lumenjtë që kalojnë në këtë rreth, momentalisht paraqitet e normalizuar.

Në lumin Shkumbin niveli i ujit është nën dy metra në shtratin e tij. Por nuk është e njëjta situatë në zonat ku kalon lumi Seman.

Konkretisht në njësinë administrativë Bubullimë në fshatin Imsht niveli i lumit Seman ka dalë nga shtrati duke iu afruar argjinaturës.

Sipas banorëve prurjet e lumit gjatë natës kanë bërë që niveli të rritet duke bërë që të arrijë deri në 2 metra nën nivelin e argjinaturës duke bërë që të gjithë të mbjellat buzë lumit të përmbyten.

Sipërfaqe të tëra tokash të mbjella me grurë e foragjere të tjera nuk duken më. Ajo që i qetëson pak banorët është ulja e prurjeve ditën e sotme që do të thotë më pak rrezik për banesat e tyre.

Për të parë situatën ne terren ka qenë dhe kryetarja e bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa. Ajo deklaroi që situata është në monitorim përsa i përket prurjeve dhe zonave ku ka rrezik. Sipas Sefës, nuk ka zona ku rrezikohen banesa .

Nga erërat dhe shirat ka pasur probleme me shkëputjen e energjisë në disa fshatra ku po punohet për rekuperimin e defekteve .

Top Channel