Policia e Shtetit, që prej ditës së djeshme, ka kaluar në gatishmëri, për t’u ardhur në ndihmë banorëve, në rast përmbytjesh që mund të shkaktohen si pasojë e motit të keq.

Nisur nga situata e krijuar si pasojë e motit të keq me reshje shiu e dëbore në vendin tonë, ku në disa zona ka dalje të lumenjve nga shtrati dhe në zonat malore është krijuar vështirësi në qarkullim për shkak të dëborës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, që prej ditës së djeshme, ka urdhëruar kalim në gatishmëri të strukturave policore në të gjithë vendin, për situatën e përmbytjeve.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i drejtimit, për të menaxhuar informacionet dhe për të koordinuar veprimet me shërbimet në terren. Grupi i drejtimit kryesohet nga Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.

Në të gjitha qarqet, shërbimet e Policisë janë të angazhuara në ndihmë të banorëve, në zonat ku është kërkuar ndihmë dhe në mbështetje të Emergjencave Civile, për të bërë të mundur pastrimin e rrugëve nga dëbora apo nga rënia e gurëve dhe shkarja e dheut.

Në Fier dhe Vlorë janë dërguar grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë, bashkë me pajisjet e kërkim-shpëtimit.

Ndihmësspecialistët e zonave janë në kontakt të pandërprerë me administratorët e njësive administrative dhe me kryetarët e fshatrave, për reagimin në kohë, në rast nevoje për ndihmë.

Në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën, për të orientuar dhe ndihmuar drejtuesit e mjeteve që kanë vështirësi në qarkullim për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëborës në zonat e thella.

Patrullat e Përgjithshme në të gjithë territorin janë në patrullim të pandërprerë dhe në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, në rast nevoje.

Top Channel