Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka çeli Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha në stadiumin “Air Albania”.
Në fjalën e tij hapëse, Paloka tha se kriza ku ndodhet sot Partia Demokratike ka ardhur si pasojë e dështimit për të përmbysur “regjimin e Edi Ramës” si dhe vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar liderin historik nga grupi parlamentar si pasojë e shpalljes “non grata” nga SHBA.
Këtë 11 dhjetor Paloka e ka quajtur “ditën e parë të rithemelimit të PD-së”.
Teksa akuzoi se përçarja mes demokratëve “nxitet nga selia e PD”, Paloka nënvizoi se “në vend të betejës me Edvin Ramën na dhanë luftën mes njëri tjetrit”.
“Një ditë para hapjes së Parlamentit kur të gjithë prisnin fillimin e betejës sonë me Ramën, Lulzim Basha me një akt personal në kundërshtim me statutin dhe jashtë cdo morali të marrëdhënieve me PD ju plasi si bombë demokratëve largimin nga grupi parlamentar të PD liderit historik të saj zotit Sali Berisha”, tha ai.
Paloka theksoi se demokratët s’mund të pranojnë shkatërrimin e PD vetëm se 5-6 vetë kërkojnë të mbajnë një karrige dhe sipas tij të kapardisen në sallën e Parlamentit, duke shtuar për këtë të fundit që sot ngjan me një sallon mode dhe sallë spektaklesh se sa arenë ku duhet të luftohet për interesat e shqiptarëve.
Top Channel