Policia e Shtetit gjatë 24 orëve të fundit ka finalizuar me sukses dy operacione për parandalimin e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Në operacionin e parë janë arrestuar tre persona dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.
Policia bazuar në informacionet e marra se disa shtetas po organizonin të kryenin një vrasje, duke përdorur mina me telekomandë dhe armë zjarri, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Mataro”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit: M. L., 27 vjeç, banues në fshatin Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”; N. M., 62 vjeç dhe M. M., 60 vjeçe, të dy banues në lagjen “Varosh”, Lezhë.
Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasve E.V., 31 vjeç dhe H.N., 31 vjeç, persona me precedentë të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri ta lartë shoqërore, të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës.
“Nga hetimet paraprake dhe informacionet e grumbulluara rezulton se shtetasit H.,N. dhe E. V., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit.
Këta shtetas, si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit N. M.
Ndërsa shtetasi M. L., dhëndri i shtetasit N. M., është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë”, njofton policia.
Pas kontrollit ushtruar në ambiente, mjete dhe banesa të dyshuara. Si rezultat i kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë; 88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit;
2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.
Policia bën me dije se armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, kapjen e personave të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Top Channel