Çfarë fshihet pas konfliktit: Jo vetëm nga NATO, përse Putini e ka “halë në sy” Ukrainën

08/12/2021 12:39

Ashpërsimi i tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës, që ka bërë të fryjë ere lufte në Evropë duke vënë në alarm NATO-n e Shtetet e Bashkuara, është vetëm pika kulmore e fërkimeve që shtrihen shumë pas në kohë.

Kremlini e ka akuzuar Kievin se nuk respektoi marrëveshjen e paqes së vitit 2015 dhe ka kritikuar Perëndimin se ka dështuar ta inkurajojë Ukraninën që të zbatojë paktin, i cili parashikonte që Ukraina t’u jepte autonomi të gjerë rajoneve rebele dhe t’u ofronte një amnisti gjithëpërfshirëse rebelëve.

Kievi vetë ka vënë në dukje shkeljet e armëpushimit nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe këmbëngul se ekziston një prani e vazhdueshme e trupave ruse në rajonet rebele, pavarësisht mohimeve të Kremlinit.

Më herët këtë vit, Presidenti Vladimir Putin qe shprehur në mënyrë ogurzezë se një përpjekje ushtarake e Ukrainës për të rimarrë zonat rebele do të kishte “pasoja të rënda për shtetësinë ukrainase”. Putini ka theksuar fuqimisht se aspiratat e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO përbëjnë një vijë të kuqe për Moskën dhe gjithashtu ka shprehur shqetësime rreth planeve të disa vendeve të NATO-s për të ngritur qendra trajnimi ushtarak në Ukrainë.

Presidenti rus tha se kjo do t’u jepte atyre (NATO-s) një bazë ushtarake atje edhe pa u anëtarësuar Ukraina në NATO.

Përpos kësaj megjithatë, ai i ka përshkruar vazhdimisht rusët dhe ukrainasit si “një popull i vetëm” dhe e ka “halë në sy” Ukrainën për të cilën pretendon se ka marrë padrejtësisht tokat historike ruse gjatë periudhës sovjetike.

Top Channel