Biden “i tregon dhëmbët” Putinit: S`ka më doreza, po sulmuat do keni punë me ne

08/12/2021 16:13

Dy orë zgjati takimi virtual i presidentit amerikan Joe Biden me homologun rus Vladimir Putin.

Se çfarë u diskutua aty, këtë e zbardhi për mediat këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan, i cili tregoi se në bisedimet e tensionuara, shefi i Shtëpisë së Bardhë i kishte thënë hapur Putinit se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin çdo veprim për t’u siguruar që Rusia të mos sulmojë Ukrainën.

Sipas Sullivan, Uashingtoni beson se Presidenti rus, nuk e ka marrë ende një vendim lidhur me sulmin.

Megjithatë Uashingtoni po përgatitet për të gjithë skenarët dhe do të japë një përgjigje specifike e të fuqishme, nëse do të kërkohet.

Kremlini nga ana e tij theksoi se Putin i paraqiti Bidenit një kërkesë për garanci ligjore e të detyrueshme që NATO të mos zgjerohet, duke nënkuptuar anëtarësimin në aleancë të Ukrainës.

Këndvështrimi i Putinit është i qartë: NATO po forcon potencialin e saj ushtarak pranë kufijve të Rusisë dhe “po bën përpjekje të rrezikshme për të siguruar kontrollin mbi territorin e Ukrainës”.

Pas bisedës me Putin, Biden ka folur me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe e pritet që ditën e enjte të zhvillojë një bisedë me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

 

Top Channel