“Ukraina fuçi baruti”/ Të mëdhenjtë në krah të Kievit, Moska nuk pyet

07/12/2021 13:25

Perëndimi po i forcon krahët Ukrainës. Për shkak të rritjes së tensioneve ushtarake me Rusinë, SHBA, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Gjermania kanë mbështetur demonstrativisht Ukrainën e presidentin e saj.

Sovraniteti i Ukrainës duhet “të respektohet”, deklaruan Shtëpia e Bardhë në Uashington dhe Pallati Élysée në Paris pas një konference telefonike të krerëve të shteteve e qeverive të SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Gjermanisë.

“ Jemi gati “për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Evropë”, u tha.

Ujdia mes krerëve perëndimorë erdhi para video-samitit të pritur me interes të madh mes presidentit të SHBA, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin, thotë DW.

Për shkak të lëvizjes masive të trupave ruse në kufirin ukrainas, qeveritë perëndimore i druhen një sulmi të Rusisë ndaj vendit fqinj. Edhe krerët e shtabeve të përgjithshme të 30 vendeve të NATO-s u bashkuan në një takim të posaçëm.

Sipas të dhënave të aleancës ushtarake verio-atlantike, Rusia ka stacionuar në kufi në mënyrë të pazakontë  kontigjente të mëdha trupash të gatshme për luftë si edhe armatime të rënda dhe dronë.

Qeveria në Moskë betohet se nuk ka qëllime ushtarake. Ajo argumenton me atë, që në territorin e saj mund të lëvizë trupat si t’i përshtatet. Në të njëjtën kohë Kremlini kritikon prezencën ushtarake të vendeve perëndimore në afërsi të kufirit rus si “provokim”.

Putin dëshiron po ashtu garanci, që Ukraina nuk do të bëhet anëtare e NATO-s. SHBA e kanë kërcënuar Rusinë në rast të shkallëzimit ushtarak me pasoja të rënda.

Një përfaqësues i qeverisë amerikane në Uashington është shprehur, se Biden do t’ia bëjë të qartë Putinit se çmimi do të jetë shumë i lartë, “nëse Rusia do të vendosë për një procedim të tillë”, por pavarësisht kërcënimeve, duket se nuk po merret në shqyrtim një përgjigje ushtarake e perëndimit.

Top Channel