Pushtimi i papritur i zhabave kërcënon njerëzit dhe kafshët shtëpiake në ishull (fotot)

07/12/2021 17:04

Dhjetra vullnetarë kanë dalë për të mbledhur bretkosat toksike të njohura si zhabat e kallamishtes ose Rhinella marina, që po pushtojnë qytetin Chaotun në Taivan, teksa shkencëtarët janë të habitur sesi amfibët e mëdhenj janë gjendur në numra kaq të mëdhenj në këtë zonë.

“Ne shpresojmë të minimizojmë pasojat e shkaktuara nga kjo specie invazive duke i mbledhur ato sipas protokolleve për të mbrojtur speciet lokale”, tha Guava Tsai, një vullnetar i shoqatës së mbrojtjes së kafshëve amfibe.

Megjithse origjina e tyre është nga Amerika Jugore e qendrore, zhabat e kallamishtes mund të helmojnë e të vrasin një njeri nëse prekin sytë apo gojën e tij.

Vetëm kohët e fundit ato janë parë në Taivan kur një rezident i fotografonte zhabat duke shijuar kopshtet e komunitetit. Pamjet u përhapën shpejt në rrjetet sociale çka bëri që studiuesit dhe vullnetarët të ndërmarrin hapa mbrojtjeje.

Një operacion i gjerë kërkimi nisi shpejt pas zbulimit të zhabave të kallamishtes,” tha studiuesi Lin Chun-fu, për rrjetet AFP e Euronews, duke shtuar se specia e zhabave nuk ka predatorë natyralë në Taivan dhe mund të shumohen në mënyrë të pakontrolluar.

Vullnetarët thanë se kanë zbuluar deri tani 27 amfibë të tillë, toksinat e të cilave janë veçanërisht helmuese për qentë e macet e shtëpisë, tregon eksperienca në Australi.

Ditët e fundit një perimetër kërkimi është krijuar ku janë gjetur gjithnjë e më shumë zhaba, por shkencëtarët thonë se janë optimistë për të përmbajtur përhapjen e tyre.

Ata gjithsesi nuk kuptojnë mënyrën e shfaqjes së tyre. Një prej teorive thotë se vendasit i kanë shumuar amfibët pasi megjithë toksicitetin e tyre, ato simbolizojnë fat të mirë në kulturën kineze dhe mund të shiten me çmime të leverdisshme.

FOTO GALERI
1/3
Zhabat e kallamishtes ose Rhinella marina, që po pushtojnë qytetin Chaotun në Taivan

Top Channel