Francë/ Sulmohet në takimin e tij të parë Eric Zemmour, kandidati për president i të djathtës ekstreme

06/12/2021 13:17

Kandidati i të djathtës ekstreme në Francë, Eric Zemmour është sulmuar në takimin e tij të parë të fushatës presidenciale.

Në kohën kur 63-vjeçari po lëvizte mes një turme të madhe njerëzish për t’u ngjitur në skenë, një burrë e kapi për disa sekonda pas qafe, deri sa personat përgjegjës për sigurinë arritën të ndërhynin.

Mediat lokale raportojnë se Zemmour është lënduar, ndërsa mjekët e kanë këshilluar të marrë nëntë ditë pushim.

Ish-gazetari njihet për pikëpamjet e tij ekstreme dhe tepër të diskutueshme për emigrantët dhe Luftën e Dytë Botërore.

Kohë më parë, ai ka pretenduar se shteti francez i mbronte hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur në realitet regjimi kolaboracionist Vichy çoi mijëra hebrenj francezë në kampet naziste të vdekjes.

Zemmour njoftoi të martën se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale franceze në vitin 2022. Ai po sfidon figurën kryesore të së djathtës ekstreme Marine Le Pen, në lidhje me udhëheqjen e së djathtës së fortë nacionaliste në Francë.

Fenomeni “Zemmour”, po shqetëson jo pak partitë politike franceze në të gjithë spektrin politik, por jo për të njëjtat arsye. Më e shqetësuar është sigurisht Marine Le Pen, pasi ajo shpreson të jetë kandidatja që do të përfaqësojë të djathtën ekstreme.

Tradicionalisht, vota e protestës në Francë, është ndarë mes populistëve dhe abstenuesve dhe të paktën deri në zgjedhjet e 2017-ës, dhe kjo tendencë e favorizoi në përgjithësi partinë e saj. Për ta paraqitur veten si një kandidate legjitime presidenciale në vitin 2017, Le Pen e moderoi mesazhin e partisë, dhe u distancua nga babai i saj (themeluesi dhe ish-udhëheqësi i partisë), si dhe nga retorika e tij reaksionare, raciste dhe anti-semite.

Një vit më pas, ajo ndryshoi edhe emrin e partisë. Por moderimi nuk është pritur mirë nga pjesa më e madhe e bazës së saj të mbështetësve, një pjesë e konsiderueshme e së cilës ka kaluar me Zemmour. Një sondazh i bërë publik më 28 shtator, tregoi se mbështetja për Le Pen ishte rreth 16 për qind, nga 28 për qind në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017.

Ngritja e Zemmour po shihet po ashtu me shqetësim nga partia tradicionale e qendrës së djathtë, Les Républicains (Republikanët). Ndërsa shumë konservatorë francezë do ta kishin bezdi të votonin për Tubimin Kombëtar për shkak të së kaluarës së tij anti-semite, ata mund të shohin tek Zemmour, një hebre sefardik, një zëdhënës të pranueshëm të pozicionit të së djathtës bashkëkohore mbi emigracionin.

Por Zemmour është paraqitur gjithashtu edhe si një kampion i Golizmit, duke trajtuar 3 nga temat e preferuara të Charles de Gaulle:pavarësinë kombëtare, politikën sociale dhe idenë e Francës së krishterë. Duke luajtur në kufijtë fluidë midis të djathtës dhe të djathtës ekstreme, ai po merr vota nga Republikanët, gjë që Le Pen as që mund ta kishte shpresuar ndonjëherë.

Por ndërsa kandidimi i Zemmour mund ta dëmtojë të djathtën, ai edhe mund t’i shërbejë asaj. Nëse Zemmour e zvogëlon peshën e Le Pen në zgjedhjet e afërta, një tjetër kandidat i krahut të djathtë, si Xavier Bertrand, favorit në sondazhe, mund të mbizotërojë si sfidues i presidentit aktual Emmanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Macron do të kishte shumë më tepër arsye të ishte i shqetësuar në një balotazh kundër Bertrand, një kandidat që mund të kërkojë një mbështetje të gjerë, përfshirë votuesit e majtë dhe centristë, të cilët duan të parandalojnë me çdo kusht një mandat të dytë të Macron.

Po ashtu Macron mund të dëmtohet jo pak edhe nga  efekti negativ, që do të kenë në debatin e përgjithshëm temat e ekstremit të djathtë. Ai do të dëshirojë të nxjerrë në pah arritjet e tij ekonomike dhe sociale, reformat e tij në sistemit arsimor dhe bindjet e tij pro-evropiane. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, kur bën fushatë kundër një kundërshtari, që mban në gojë vetëm çështjen e ”Islamit” dhe “emigrimin”.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të mbahet më 10 prill 2022. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk siguron shumicën absolute në raundin e parë, dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota do të garojnë në raundin e dytë më 24 prill.

Zemmour ka lindur në vitin 1958 në Paris në një familje hebreje me origjinë algjeriane.

Top Channel