Trafikantët e merimangave kapen në aeroport me 232 tarantula e akrepë në kuti plastike (fotot)

04/12/2021 21:33

Dy gjermanë janë kapur në aeroportin e Bogota me 210 mbajtëse të vogla plastike të mbushura me tarantula (merimanga të mëdha leshtore), vezë merimange, buburrecë e akrepë – për të cilat pretendonin se po i merrnin për qëllime studimi.

Zyrtarët kolumbianë thanë se në mbajtëset e kapura ishin 232 merimanga të ndryshme, nëntë vezë merimange, një akrep me gjashtë të vegjëlit e tij dhe 67 buburrecë te ndryshem.

Kolumbia mburret me shumëllojshmërinë e specieve të saj dhe ka qenë prej kohësh objektiv i trafikantëve të botës së egër që tërhiqen nga biodiversiteti i saj.

Zyrtarët thonë se më shumë se 11,000 specie janë tentuar të trafikohen këtë vit.

Ministrja e mjedisit në Bogota, Carolina Urrutia, tha në një deklaratë: “Nuk kishim pasur një ngarkesë të tillë tarantulash që prej vitit 2018 dhe këtë vit kemi kapur dhe ngarkesën më të madhe me flatra peshkaqeni.”

Trafikantët e dështuar gjermanë argumentonin se kishin marrë ngarkesën e tyre të botës së egër për qëllime akademike por autoritetet thanë se nuk kishin asnjë leje për ta bërë këtë.

Kafshët po ekzaminoheshin nga ekspertët që më vonë do të vendosin nëse do të lirohen apo zhvendosen, raporton agjencia Reuters.

Lajmi vjen disa muaj pasi autoritetet në Kolumbi sekuestruan një ngarkesë prej 3,493 flatra peshkaqenësh që llogaritet se janë marrë nga 900 deri në 1,000 peshkaqenë, të cilat po tentohej të trafikoheshin në ilegalisht në Hong Kong.

Dërgesa në 10 pako vinte nga zona e Roldanillo, në jugperëndim të Kolumbisë, tha zyrtarja mjedisore e Bogota.

Ministrja Urrutia tha: “Kompania e dërgimit njoftoi paraprakisht autoritete mjedisore dhe policinë”.

“Ata po marrin mostra për të kuptuar se me çfarë speciesh kemi të bëjmë, pasi ne dimë se ka më shumë se tre specie peshkaqenësh që jetojnë në ujërat e Kolumbisë.

Në disa vende flatrat e peshkaqenit besohet se kanë avantazhe mjekësore.

Në kulturën kineze besohet se ato shtojnë fuqinë seksuale, rrisin energjinë dhe parandalojnë sëmundjet e zemrës apo kolesterolin.

FOTO GALERI
1/5
Ne aeroportin e Bogota janë kapur 210 mbajtëse të vogla plastike të mbushura me tarantula (merimanga të mëdha leshtore)

Top Channel